Lajme
Kryesore

Emigrantët e dëbuar nga Italia shkaktojnë trazira në kampin e Gjadrit, shtohen masat e sigurisë

Kampi i Gjadrit, i cili së fundmi është kthyer në një qendër ndalimi për emigrantët me urdhër dëbimi nga Italia, po përballet me situata tensionuara. Mësohet se disa prej emigrantëve kanë shfaqur sjellje agresive, duke tentuar të dëmtojnë ambientet ku po qëndrojnë, gjë që ka detyruar autoritetet të shtojnë ndjeshëm masat e sigurisë brenda kampit.

Sipas burimeve, personat që kanë shfaqur sjellje të dhunshme janë izoluar në një sektor të veçantë të kampit, i cili është përshtatur si një ambient burgimi për raste të tilla. Grupi prej 40 emigrantësh mbërriti në Gjadër më 11 prill, të gjithë me pranga në duar, dhe që nga dita e parë janë raportuar për mungesë bashkëpunimi dhe sjellje problematike.

Në bazë të një dekreti të qeverisë italiane të drejtuar nga Giorgia Meloni, kampi i Gjadrit do të shërbejë si qendër ndalimi për emigrantët që nuk kanë më të drejtë për azil dhe janë në pritje të dëbimit. Sipas vendimit, ata mund të qëndrojnë në këtë qendër deri në 18 muaj, kohë gjatë së cilës pritet që vendet e origjinës të pranojnë kthimin e tyre.

Situata e krijuar ka ngjallur shqetësim për sigurinë dhe kushtet e trajtimit të emigrantëve në këtë qendër, ndërsa autoritetet shqiptare dhe italiane mbeten në komunikim të vazhdueshëm për menaxhimin e rasteve të tilla.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button