
Një ngjarje e pazakontë është regjistruar mëngjesin e sotëm në një nga qendrat e votimit në qytetin e Elbasanit. Një grua 56-vjeçare, e identifikuar me inicialet M.C., është shoqëruar në polici pasi ka fotografuar fletën e votimit gjatë procesit zgjedhor.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, rreth orës 07:45, anëtari i komisionit të qendrës së votimit nr. 2321, në lagjen “5 Maj”, shtetasi I.P., ka vërejtur veprimin e votueses dhe ka lajmëruar menjëherë autoritetet.
“Shërbimet e policisë kanë shoqëruar në ambientet e komisariatit shtetasen M.C., 56 vjeçe, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale”, njofton Policia.
Pavarësisht incidentit, votimi në qendrën nr. 2321 po vijon normalisht dhe pa probleme të tjera.
Fotografimi i votës përbën shkelje të ligjit zgjedhor në Shqipëri, pasi cenon parimin e fshehtësisë së votës dhe mund të nxisë veprime të ndikuara apo të detyruara gjatë procesit zgjedhor.