Lajme

Elbasan – Pema “penguese” e posterit elektoral, kandidatja e PS Aulona Bylykbashi urdhëron krasitjen ekstreme

Çuditë e kësaj fushate elektorale nuk ndalen vetëm te fjalimet e pazakonta të disa kandidatëve, por edhe te veprimet e tyre që shpesh i kalojnë kufijtë e arsyes. Rasti më i fundit vjen nga Elbasani, ku nënkryetarja e Bashkisë, Aulona Bylykbashi, e cila garon për deputete në zgjedhjet e 11 majit me besimin e Edi Ramës, ka ndërmarrë një veprim të diskutueshëm për të ruajtur imazhin e saj elektoral.

Në një prej zonave qendrore të qytetit, është vërejtur se një pemë është krasitur në mënyrë ekstreme – vetëm për të mos penguar dukshmërinë e një posteri të madh elektoral të Bylykbashit. Krahasimet me fotografi të bëra përpara dhe pas ndërhyrjes tregojnë qartë se pema është dëmtuar qëllimisht për të mos mbuluar asnjë cep të posterit.

Ky veprim ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale, ku qytetarët shprehen të indinjuar për trajtimin që i bëhet mjedisit në emër të propagandës politike. Shumë prej tyre e konsiderojnë aktin si një shembull të keqpërdorimit të pushtetit lokal për interesa personale dhe elektorale.

Ndërkohë, nga vetë Bashkia apo kandidatja Bylykbashi nuk ka ende një reagim zyrtar lidhur me këtë incident. Kjo ngjarje hedh edhe njëherë dritë mbi mënyrën se si menaxhohet hapësira publike gjatë fushatave në Shqipëri – ku edhe pemët mund të bëhen “pengesa” për ambiciet politike.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button