Ekzekutohet në lokal 64-vjeçari Gjovalin Prendi në Lezhë – dyshohet hakmarrje për aktivitetin kriminal të të birit

Ngjarje e rëndë tronditi mbrëmjen e së enjtes qarkun e Lezhës, ku një 64-vjeçar u ekzekutua me armë zjarri brenda lokalit të tij në fshatin Pllanë, përgjatë rrugës nacionale Lezhë–Milot.
Viktima është identifikuar si Gjovalin Prendi, babai i Roan Brahimit, i njohur ndryshe edhe si Sidorel Prendi, i cili u vra në një atentat mafioz në Athinë më 9 maj 2024, në sy të bashkëshortes dhe fëmijëve të tij.
Ngjarja ndodhi rreth orës 20:00, kur persona të armatosur që udhëtonin me një automjet luksoz tip “Porsche” janë ndalur pranë lokalit të Prendit. Njëri prej tyre ka zbritur dhe ka hapur zjarr me breshëri plumbash në drejtim të lokalit, duke lënë të vdekur në vend 64-vjeçarin.
Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se pista kryesore e vrasjes lidhet me hakmarrjen për shkak të përfshirjes së të birit në veprimtari kriminale në Shqipëri dhe Greqi. Kujtojmë se ndaj Gjovalin Prendit është tentuar një atentat edhe në vitin 2020.
Roan Brahimi ishte një personazh i njohur për autoritetet ligjzbatuese dhe dyshohet se kishte lidhje me disa ngjarje të bujshme kriminale. Ai ishte kunati i Ilir Beqarajt, i arrestuar për vrasjen e Gentjan Bejtjes më 15 mars 2024 në Larushk të Krujës. Gjithashtu, konsiderohej rival i fortë i grupit të Niklës dhe armik i betuar i Ervis Martinajt, i zhdukur pa gjurmë që prej gushtit 2022.
Brahimi dyshohet të ketë qenë i përfshirë edhe në atentatin e 17 korrikut 2022, ku u vra Brilant Martinaj, kushëriri i Ervis Martinajt, së bashku me dy persona të tjerë.
Ndërkohë, Policia e Lezhës ka rrethuar zonën dhe po zhvillon kontrolle intensive, ndërsa nën drejtimin e Prokurorisë është ngritur një grup i posaçëm hetimor për zbardhjen e plotë të ngjarjes.