Ekstradohet një shtetas kosovar nga Kroacia në Kosovë

Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor në koordinim dhe bashkëpunim me njësitet tjera relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë, sot ka bërë transferimin e një shtetasi kosovar nga Kroacia në Kosovë.
I dyshuari, sipas Kodit Penal të Kroacisë, ishte i dënuar me burg për kryerjen e veprës penale kundër jetës dhe trupit, tentativë e vrasjes së rëndë, dhe transferimi i tij është bërë me qëllim që pjesën e mbetur të dënimit me burg, ta mbajë në institucionet korrektuese të Kosovës.
Transferimi është realizuar bazuar në ligjet në fuqi, në marrëveshjet dy palësh dhe përmes bashkëpunimit të ngushtë mes institucioneve të Kosovës dhe Kroacisë.
I dyshuari pas transferimit, i është dorëzuar Shërbimit Korrektues të Kosovës për vazhdim me procedurat tjera ligjore.



