Lajme
Kryesore

Eksportet e vajit të ullirit bien ndjeshëm në tremujorin e parë të 2025: Sektori përballet me sfida serioze

Eksportet e vajit të ullirit nga Shqipëria kanë shënuar një rënie të ndjeshme gjatë tremujorit të parë të vitit 2025, duke reflektuar vështirësitë e theksuara të sektorit. Sipas të dhënave zyrtare nga Doganat, në periudhën janar-mars janë eksportuar vetëm 322 ton vaj ulliri, një ulje prej 75% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Në aspektin financiar, situata paraqitet edhe më alarmante. Vlera e eksporteve arriti vetëm 188,5 mijë lekë, një rënie drastike prej 81% nga 1 miliardë lekë që ishin eksportet në janar-mars 2024.

Eksportuesit pohojnë se vijojnë të jenë thuajse të bllokuar në eksportin e vajit të paambalazhuar (rifuxho), për shkak të çmimeve shumë të ulëta të ofruara nga tregjet e huaja, kryesisht Italia. Ata përballen me një konkurrencë të ashpër nga prodhuesit spanjollë dhe grekë, të cilët ofrojnë çmime më të ulëta për shkak të subvencioneve dhe mekanizimit më të avancuar.

Aldo Jolla, eksportues nga Belshi, tregon se nuk ka shitur asnjë litër vaj rifuxho që prej nëntorit të kaluar, ndërkohë që ka të magazinuara 30 ton vaj të pashitur. “Çmimi që kërkojnë grosistët italianë është nën koston e prodhimit. Po na ofrojnë 4,7 euro për litër, ndërsa në Spanjë çmimi ka zbritur në 4,2 euro. Nën 500 lekë për litër nuk mbulojmë as kostot,” deklaron ai.

Problemet nuk ndalen vetëm te çmimet. Kostot e prodhimit janë të larta për shkak të mungesës së mekanizimit, informalitetit të shitjeve dhe mungesës së subvencioneve, ndryshe nga vendet si Greqia, ku fermerët marrin 1 euro subvencion për çdo litër vaj të prodhuar.

Prodhimi i lartë në sezonin 2024/2025 në Spanjë, Greqi, Turqi dhe Portugali ka ndikuar në rënien e çmimeve ndërkombëtare dhe ka bërë që vaji shqiptar të humbasë konkurrueshmërinë në tregjet e jashtme.

Në përpjekje për të përmirësuar situatën, Ministria e Bujqësisë ka njoftuar një projekt prej 1 milion dollarësh, të financuar nga Banka Botërore, për ndërtimin e një qendre moderne në qarkun e Beratit, ku do të përmirësohen kushtet e ruajtjes, ambalazhimit dhe brandimit të vajit shqiptar.

Megjithatë, përpunuesit dhe eksportuesit shpresojnë se sezoni turistik do të sjellë një rritje të kërkesës nga restorantet, duke ndihmuar disi në rigjallërimin e shitjeve. Ata theksojnë se tregu i jashtëm mbetet thelbësor për mbijetesën e tyre, ndaj janë të angazhuar gjithnjë e më shumë në eksportin e vajit të ambalazhuar me markë, megjithëse në tregun e brendshëm kërkesa për këtë produkt mbetet e ulët.

Tregu i vajit të ullirit në Shqipëri vazhdon të përballet me luhatje të mëdha, të ndikuara nga faktorë të brendshëm dhe të jashtëm, ndërsa sfidat për ta bërë produktin shqiptar konkurrues në tregjet ndërkombëtare mbeten të shumta.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button