Ekspertja mjeko-ligjore: Protokolli i Stambollit e njeh mundësinë e ekzagjerimit të simptomave për arsye personale ose politike

Në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Dhomat e Specializuara në Hagë, ekspertja mjeko-ligjore Karin Duhne-Prinsen deklaroi se Protokolli i Stambollit e pranon si mundësi ekzagjerimin apo shpikjen e simptomave nga individët, për arsye personale apo politike.
Dëshmia e saj u dha gjatë seancës së së mërkurës, ku u përgjigj në pyetjet e avokatit të Jakup Krasniqit, Victor Baieshu. Në pyetjet e tij, Baieshu kërkoi të kuptojë nëse ekzistojnë mekanizma për të dalluar nëse simptomat e përshkruara nga viktimat mund të jenë të ekzagjeruara, sidomos në kontekstin e kërkesave për azil.
“Është si mundësi, mund të jetë një prej arsyeve,” u shpreh Duhne-Prinsen, kur u pyet nëse një kërkesë për azil mund të nxisë një person të shpikë ose zmadhojë simptomat.
Avokati përmendi faktin se, sipas të dhënave, nga viti 1989 deri në 1999, rreth 350 mijë shqiptarë etnik janë larguar nga Kosova dhe kanë kërkuar azil në Evropën Perëndimore, shpesh duke u paraqitur si kosovarë. Ekspertja pranoi se ka njohuri për këto lëvizje të mëdha popullatash.
Megjithatë, Duhne-Prinsen sqaroi se ekipet e ekspertëve nuk kanë shqyrtuar historikun e azilit të personave që kanë intervistuar, dhe se vlerësimet janë bërë vetëm mbi bazën e simptomave të raportuara në dëshmitë e viktimave. “Jo, nuk jemi marrë fare me këtë. Thjesht ju kemi dhënë përgjigje pyetjeve që na u bënë,” tha ajo.
Gjithashtu, ajo theksoi se nuk ka pasur ekzaminime mjekësore të drejtpërdrejta, gjë që kufizon aftësinë për të përcaktuar nëse një person ka ekzagjeruar ose ka fabrikuar simptomat. “Unë nuk mund ta di dot në qoftë se personi e ka zmadhuar, e ka sajuar në mendjen e vet,” u shpreh Duhne-Prinsen.
Ekspertja tjetër, Catherine Nicola-Black, theksoi se raporti i tyre nuk është një raport mjeko-ligjor sipas standardeve të Protokollit të Stambollit, por një akt-ekspertizë me qëllim të dhënies së përgjigjeve ndaj pyetjeve specifike të parashtruara nga palët. “Fabrikimi ose shpikja e simptomave është diçka që duhet ta kenë parasysh profesionistët, por kjo shkon përtej fushës së këtij raporti,” theksoi ajo.
Me përfundimin e dëshmisë së eksperteve, mbaroi edhe paraqitja e provave gojore nga ana e përfaqësuesit të viktimave në këtë proces gjyqësor.