Kosova

Eksperti britanik i Ballkanit: Kosova duhet ta promovojë më shumë historinë e saj të lashtë

Profesori i historisë në Universitetin e Oxfordit dhe njohësi britanik i Ballkanit, James Pettifer, ka theksuar rëndësinë që Kosova të informojë më shumë botën për historinë e saj të lashtë.

Ky reagim i tij erdhi pas publikimit të një postimi nga kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, lidhur me zbulimet arkeologjike në qytetin antik romak të Ulpianës, që ndodhet pranë Prishtinës. Sipas Kurtit, një mbishkrim i ri i dedikuar perandorit Justinian dhe perandoreshës Theodora është identifikuar së fundmi, në kuadër të punës së një ekipi arkeologësh nga Kosova dhe Franca.

“Lajm i mirë vërtet. Por Kosova duhet ta informojë botën shumë më tepër rreth historisë së saj të lashtë. Shumë pak libra apo edhe broshura të vlefshme janë të disponueshme në shumë vende të rëndësishme për momentin,” shkroi Pettifer në platformën “X”, teksa shpërndau postimin e Kurtit.

Ndërkaq, Kurti theksoi se mbishkrimi i ri lidhet me ndërtimin e bazilikës episkopale dhe se, së bashku me një mbishkrim tjetër të zbuluar para dy vitesh, përbëjnë të vetmet dedikime të njohura të Justinianit në rajonin e tij të origjinës.

“Këto zbulime riafirmojnë lidhjen e Justinianit me Dardaninë dhe identitetin tonë dardan në Antikitetin e Vonë dhe Mesjetën e Hershme,” ka shkruar Kurti.

Qyteti antik i Ulpianës është një prej pasurive më të rëndësishme arkeologjike në Kosovë dhe konsiderohet dëshmi e trashëgimisë së pasur kulturore të vendit.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button