Edon Zhegrova drejt largimit nga Lille, Juventusi në garë për kosovarin

Edon Zhegrova pritet të largohet nga Lille në fund të afatit kalimtar të verës, teksa interesimi për yllin kosovar vazhdon, megjithëse më i zbehtë krahasuar me muajt e mëparshëm.
Sipas mediumit italian Corriere dello Sport, Lille ka vendosur një çmim prej 15-20 milionë eurosh për kartonin e 26-vjeçarit, shifër që konsiderohet e përballueshme për gjigantët evropianë, përfshirë Juventusin, që thuhet se ka shfaqur interes për sulmuesin.
Zhegrova nuk ka luajtur në ndeshje zyrtare që nga dhjetori i vitit të kaluar, duke humbur pjesën e dytë të sezonit për shkak të një lëndimi. Ai së fundmi është rikthyer në stërvitje me ekipin e Lille, pasi kishte kaluar një periudhë duke ushtruar individualisht.
Kartoni i tij dhe rroga relativisht e përballueshme e bëjnë atë një opsion tërheqës për klubet e mëdha, që mund të jenë në kërkim të përforcimeve gjatë afatit kalimtar të verës.