Edi Paloka sulmon ashpër PS-në: “Shfaqje e shpifur dhe tallëse për shqiptarët”

Kryetari i Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, ka reaguar ashpër ndaj mënyrës së hapjes së fushatës nga Partia Socialiste, duke e quajtur atë një “shfaqje të shpifur” dhe një komedi politike që tall inteligjencën e qytetarëve shqiptarë.
Gjatë një interviste në studion e News24, Paloka nuk i kurseu kritikat për eksponentët e PS që morën pjesë në aktivitetin e organizuar, duke i quajtur “të përdorur” dhe pjesë të një spektakli të inskenuar nga Edi Rama.
“Ajo shfaqja ishte jo vetëm tallëse për shqiptarët, por edhe për ata që kishin dalë aty,” tha Paloka, duke iu referuar në mënyrë të veçantë ish-kryeministrit Pandeli Majko, për të cilin u shpreh se ishte “detyruar nga Rama të kërcejë”.
“Pandeli Majko, dy herë kryeministër, e detyroi Rama të kërcente. Pandi që s’ka kërcyer kurrë në jetën e tij,” shtoi ai.
Ai ndaloi edhe te zv/kryeministrja Belinda Balluku, duke deklaruar se për të, “milionat në xhep e bëjnë të kërcejë e të hidhet përpjetë”. Sipas tij, pjesëmarrësit e tjerë në aktivitet ishin “në pikë të hallit” dhe të detyruar të marrin pjesë në një farsë politike.
Paloka krahasoi këtë spektakël me praktikat e regjimeve diktatoriale, duke përmendur Stalinin dhe mënyrën se si ai manipulonte anëtarët e byrosë politike përmes skenave të tilla.
“Në një politikë serioze kjo nuk mund të ndodhë,” tha Paloka, duke theksuar se ngjarje të tilla janë të papranueshme për Partinë Demokratike dhe për liderin e saj, Sali Berisha.