Sport

E pazakontë/ Klubi shqiptar tërhiqet nga kampionati: Vendim i papranueshëm nga Komisioni i Disiplinës

Voska Sport ka vendosur të tërhiqet nga kampionati në Maqedoninë e Veriut.

Klubi shqiptar ka publikuar vendimin me njoftim zyrtar.

Voska Sport mori së fundmi 9 pikë ulje, që praktikisht i hoqën mundësinë për të mbijetuar në elitë.

Aktualisht mbajnë vendin e fundit.

Të gjithë ngjarjet pasuan pas ndeshjes me Vardarin ku Voska Sport kontestoi vendimet e gjyqtarëve dhe braktisi ndeshjen.

Njoftimi i Voska Sport:

“TËRHIQEMI NGA KAMPIONATI, IA “FALIM” FFM-SË EDHE 13 PIKËT E MBETURA!

Klubi i futbollit Voska Sport ka marrë vendimin për t’u tërhequr nga kampionati i Ligës së Parë. Një vendim i cili vjen pas një vendimi të papritur dhe të papranueshëm të Komisionit të Disiplinës pranë Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut, i cili na ka dënuar me heqjen e 9 pikëve, në një moment të nxehtë të garës për mbijetesë, kur kanë mbetur edhe 5 xhiro për tu luajtur deri në fund të sezonit.

Vendimi i fundit i FFM-së është kulmi i një sërë vendimesh të njëanshme dhe të motivuara nga interesa të tjera, ku qëllimi i vetëm ka qenë dështimi ynë dhe largimi nga Liga e Parë.

Me këtë rast, ne IA FALIM FEDERATËS EDHE 13 PIKËT E MBETURA. Kjo nuk është më një garë e drejtë. Ne nuk kemi luftuar vetëm me kundërshtarët në fushë, por edhe me arbitrat, të cilët sillnin vendime pa asnjë logjikë në çdo ndeshje, por edhe kundër të gjithë faktorëve që kishin qëllim, largimin tonë nga elita.

Që nga fillimi i gjysmësezonit pranveror, ne jemi të vetëdijshëm se ka pasur një strategji të qartë për të na dobësuar dhe nxjerrë jashtë këtij kampionati. Na është dhënë një trajtimi i dyfishtë, ku për të njëjtën shkelje, të tjerë janë ndëshkuar më lehtë, por për ne, gjithmonë ka pasur masa të rënda.

Federata e Futbollit të Maqedonisë ka vepruar si një institucion, i cili ka bërë gjithçka për të favorizuar klubet që janë të lidhura me interesat e ngushta të tyre. Ky vendim i fundit është vetëm një tjetër provë se në Ligën e Parë të organizuar nga FFM, nuk ka drejtësi.

Kjo kryesi e FFM-së nuk lejon një garë në mënyrë të barabartë edhe përkrahë fushatës që e bëjnë për “fer-play”. Ata kanë bërë gjithçka për të na larguar nga ky kampionat, ku si pengesë e vetme si duket ka qenë se jemi klub shqiptar.

Nëse ky është futbolli që ata duan, atëherë ne nuk jemi të gatshëm të jemi pjesë e saj”.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button