E ardhmja e Lionel Messit në Botërorin 2026 mbetet e pasigurt

Lionel Messi ende nuk ka vendosur nëse do të marrë pjesë me Argjentinën në Kupën e Botës 2026, që do të mbahet në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë nga 11 qershori deri më 19 korrik të vitit të ardhshëm.
Në një intervistë për mediumin amerikan “NBC”, tetë herë fituesi i Topit të Artë shprehu dëshirën për të qenë pjesë e seleksionit, por paralajmëroi se do të marrë kohë për të vendosur. “Të jem në Botëror do të ishte e jashtëzakonshme. Do të më pëlqente të jem në formë dhe të mund ta jap një kontribut të rëndësishëm për Kombëtaren time, nëse do të jem aty. Por dua ta shoh se si do të jem fizikisht dhe mentalisht në vazhdim”, tha Messi.
Ylli i Inter Miamit, 38 vjeç, së fundmi ka rinovuar kontratën me klubin deri në vitin 2028 dhe theksoi se do ta vlerësojë gjendjen e tij fizike ditë pas dite gjatë fazës përgatitore të sezonit të ardhshëm. “Kur të fillojë faza përgatitore me klubin, do ta kuptoj nëse do të jem ende i dobishëm për skuadrën dhe për Seleccion. Nëse do të jem 100 për qind, atëherë do të vendos”, shtoi ai.
Messi, kampion bote me Argjentinën në vitin 2022, mban rekordin e paraqitjeve (195) dhe të golave (114) me “Albiceleste”. Futbollisti nga Rosario nuk e fsheh dëshirën për ta provuar sërish emocionin e një Botërori. “Ta mbrojmë titullin e kampionit do të ishte magjike. Të luash për Argjentinën është gjithmonë një ëndërr, mbi të gjitha në një kompeticion zyrtar”, përfundoi Messi.



