Dy të reja nga Kosova shpërblehen me çmime prestigjioze në fushën e sigurisë kibernetike

Dy gra të reja nga Kosova, Dredhza Braina dhe Luanda Domi, kanë korrur sukses të jashtëzakonshëm në arenën ndërkombëtare të teknologjisë, duke u vlerësuar me çmime prestigjioze në fushën e sigurisë kibernetike.
Dredhza Braina, “Barrier Breaker” në botë
Dredhza Braina, 22-vjeçare nga Prishtina, është shpallur fituese e çmimit Global Cybersecurity Woman of the Year në kategorinë “Barrier Breaker”, duke u renditur e para në botë në këtë kategori. Në një postim emocional në rrjetet sociale, Braina u shpreh thellësisht mirënjohëse për familjen, miqtë, komunitetin dhe të gjithë ata që e mbështetën gjatë rrugëtimit të saj.
“Po po, vendi i parë në botë, për mua, për ne, e për Kosovën! Ky çmim nuk është vetëm për mua, është për të gjithë ata që janë përballur me sfida, por nuk janë ndalur, kanë thyer heshtjen e kanë thyer barrierat”, shkroi ajo.
Braina falënderoi gjithashtu ekipin e Cybersecurity Woman of the Year dhe veçanërisht Carmen Marsh për krijimin e kësaj platforme që fuqizon gratë në teknologji. Ajo vlerësoi edhe anëtarët e jurisë për besimin e dhënë dhe përgëzoi të gjitha fitueset në kategoritë e tjera.
Luanda Domi, “Supporter” e vitit në siguri kibernetike
Një tjetër sukses i madh erdhi nga Luanda Domi, e cila u shpërblye me çmimin Cybersecurity Woman of the Year 2025 – kategoria Supporter, gjatë një ceremonie të mbajtur më 3 gusht në Las Vegas.
“Jam ende e emocionuar dhe thellësisht mirënjohëse që fitova këtë çmim mes grave dhe mbështetësve të jashtëzakonshëm në fushën e sigurisë kibernetike”, ka shkruar Domi në një postim në Facebook.
Ajo falënderoi familjen, votuesit dhe përkrahësit që ishin pjesë e këtij suksesi, duke theksuar rëndësinë e përfaqësimit të zërit të vajzave të reja në këtë fushë.
“Jam krenare që do ta sjell këtë çmim në Kosovë — dhe shpresoj që të jetë një kujtesë e vogël për çdo vajzë të re: zëri yt ka vend në sigurinë kibernetike, në udhëheqje, në çdo dhomë. Mos u ndal. Bota ka nevojë për ty.”
Domi njoftoi gjithashtu se është përzgjedhur në listën e ngushtë për çmimin Cybersecurity Woman of the World, që do të ndahet më 25 shtator në Itali.