Lajme

Dy shtetas shqiptarë arrestohen në Maltë për grabitje në rezidenca private

Autoritetet në Maltë kanë arrestuar dy shtetas shqiptarë të moshës 33 dhe 46 vjeç, të akuzuar për një seri grabitjesh në rezidenca private. Arrestimi ka ndodhur pas hetimeve që zbuluan se dy burrat janë pjesë e një grupi ndërkombëtar të krimit të organizuar. Sipas policisë, shqiptarët u larguan nga Malta menjëherë pas kryerjes së grabitjeve, por u identifikuan më vonë duke u kthyer në vend përmes një fluturimi që mbërriti në Maltë në orët e para të mëngjesit të së premtes.

Dy të arrestuarit u kapën në Aeroportin Ndërkombëtar të Maltës dhe do të paraqiten para gjykatësit Jean Paul Grech më vonë gjatë ditës së shtunë. Hetimet e policisë janë ende në zhvillim.

Një pamje e CCTV-së nga një nga grabitjet tregoi një burrë që hynte në një dhomë gjumi më 23 shkurt dhe një grup që ecte në një korridor më 26 shkurt. Autorët e krimit ishin shumë profesionalë, duke u munduar të vjedhin shtëpi të cilat dyshohej se pronarët e kishin braktisur dhe që alarmet ishin fikur.

Një rast tjetër shqetësues ishte vjedhja në një shtëpi ku jetonte një familje prej shtatë anëtarësh. Ata kuptuan për grabitjen vetëm disa orë më vonë, kur zbuluan se disa sende ishin zhdukur nga dhoma e gjumit. Ky fenomen ka shtuar frikën se kriminelët kryenin mbikëqyrje para sulmeve.

Sipas raportit të Europol të vitit të kaluar, Malta renditet ndër pesë vendet më të prekura nga bandat e organizuara kriminale që kryejnë vjedhje dhe grabitje. Kjo valë vjedhjesh ka rikujtuar një tjetër seri ngjarjesh të ngjashme, të ndodhura në verën e vitit 2018, kur një organizatë kriminale po kryente grabitje në rezidenca private.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button