Lajme

Dy ngjarje të rënda në Tiranë: Një 54-vjeçar hidhet nga kati i nëntë, një tjetër tenton të vetëvritet nga Piramida

Dy ngjarje shqetësuese janë shënuar në kryeqytet, ku dy persona kanë tentuar të ndërmarrin akte vetëvrasjeje në rrethana të ndryshme.

Ngjarja e parë është raportuar në rrugën “Hamdi Sulçebe”, ku një 54-vjeçar, shtetasi O. L., dyshohet se është vetëhedhur nga kati i nëntë i pallatit ku banonte. Ai është dërguar menjëherë në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve, ndërkohë që ende nuk dihet gjendja e tij shëndetësore.

“Në rrugën ‘Hamdi Sulçebe’, dyshohet se është vetëhedhur nga kati i nëntë i pallatit ku banonte, shtetasi O. L., 54 vjeç, i cili aktualisht është në kujdesin e mjekëve. Punohet për sqarimin e rrethanave të rastit”, thuhet në njoftimin e Policisë së Tiranës.

Ndërkohë, një tjetër ngjarje e rëndë ka ndodhur pranë Piramidës së kryeqytetit. Një 42-vjeçar, shtetasi A. G., në gjendje të rënduar psikologjike, ka kërcënuar se do të hidhej nga godina. Fatmirësisht, pas negociatave me efektivët e policisë, ai është bindur të zbresë dhe është transportuar për ndihmë mjekësore.

“Shtetasi A. G., 42 vjeç, dyshohet se, duke qenë në gjendje të rënduar psikologjike, ka tentuar të hidhet nga Piramida në Tiranë. Pas negociatave me shërbimet e Policisë, ky shtetas është zbritur nga lartësia dhe është transportuar për ndihmë mjekësore”, thuhet në deklaratën e policisë.

Policia po vijon hetimet për të zbardhur plotësisht shkaqet që çuan në këto ngjarje.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button