Dy mjete të pashpërthyera zbulohen në Kaçanik dhe Rahovec, ndërhyjnë njësitet e FSK-së

Dy raste të ndara të gjetjes së mjeteve të dyshuara të pashpërthyera janë raportuar të martën në Kaçanik dhe Rahovec, duke alarmuar autoritetet dhe aktivizuar njësitet e specializuara për deminim të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Rasti i parë është raportuar në fshatin Kaçanik i Vjetër, rreth orës 10:30 të mëngjesit. Një burrë ka njoftuar policinë se afër hekurudhës kishte hasur një mjet të dyshuar të pashpërthyer. Menjëherë pas njoftimit, njësitet policore kanë siguruar vendin e ngjarjes, ndërsa ekipet e FSK-së kanë shpërthyer mjetin në mënyrë të kontrolluar dhe të sigurt. Lidhur me rastin është informuar edhe prokurori kompetent.
Ndërkohë, një tjetër mjet i ngjashëm është gjetur në Rahovec, në rrugën “Bejtullah Haxhiu”, rreth orës 18:00. Një banor i këtij qyteti, gjatë punimeve me eskavator në oborrin e shtëpisë së tij, ka hasur në një granatë dore të tipit A-6. Pas raportimit, policia ka siguruar zonën, ndërsa njësitet për deminim të FSK-së kanë tërhequr mjetin në mënyrë të sigurt.
Autoritetet apelojnë tek qytetarët që në rast të hasjes së mjeteve të dyshimta të mos i prekin ato, por të njoftojnë menjëherë policinë për të shmangur rrezikun për jetën dhe sigurinë publike.