Dy eksperte të mjekësisë dëshmojnë në Gjykatën Speciale: Theksojnë ndikimin e mungesës së drejtësisë në shëndetin mendor të viktimave

Në Gjykatën Speciale në Hagë, dy eksperte të fushës së mjekësisë, Chatherine Nicola-Black dhe Karin Duhne-Prinsen, kanë dëshmuar si dëshmitaret e vetme të mbrojtësit të viktimave në gjykimin kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Ekspertja ligjore dhe psikiatrja britanike, Chatherine Nicola-Black, tha para trupit gjykues se mungesa e drejtësisë dhe mbështetjes institucionale mund të ketë ndikim negativ mbi shëndetin mendor të viktimave, bazuar në përvojën e saj klinike.
“Nëse një person nuk i njeh përvojat personale të viktimës, kjo mund të ndikojë negativisht në procesin e shërimit nga trauma. Rrëfimi i përvojës së viktimës është vetë një hap terapeutik,” theksoi Black.
Ekspertja tjetër, Karin Duhne-Prinsen, tha se mbajtja në ndalim është një prej përvojave më të vështira njerëzore, sipas literaturës shkencore. Këtë e mbështeti edhe Black, duke shtuar se personat që kanë përjetuar torturë gjatë ndalimit shfaqin simptoma të rënda dhe të gjata psikologjike.
Ato shpjeguan se përjetimi i dhunës nga një person tjetër ka ndikim më të rëndë psikologjik sesa traumat e shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore, për shkak të humbjes së kontrollit dhe varësisë totale ndaj personelit të burgut gjatë ndalimit.
Në raportin e përgatitur nga të dyja ekspertet, theksohen pasojat më të zakonshme psikologjike si: rikthimi i pavullnetshëm i kujtimeve traumatike, shmangia e situatave që kujtojnë përvojat, gjendje e lartë agjitimi, probleme me gjumin, zemërim i shpejtë, frikë dhe vështirësi në përjetimin e emocioneve pozitive.
Dëshmitë e tyre pritet të kenë një peshë të veçantë në vlerësimin e ndikimeve psikologjike që kanë përjetuar viktimat në këtë proces gjyqësor.