
Pak ditë pas nisjes zyrtare të fushatës për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, kryeministri Edi Rama ndaloi në shëtitoren “Taulantia” përgjatë vijës bregdetare të qytetit për të inauguruar një tjetër projekt rehabilitimi.
I shoqëruar nga kryebashkiakja Emiriana Sako, Rama prezantoi punimet si pjesë e një strategjie për të forcuar turizmin lokal dhe gjallëruar jetën e natës së qytetit gjatë sezonit veror.
“Në shëtitore do të ketë edhe hapësira të tjera që do të i japin shumë adrenalinë turizmit, shëtitjeve të pasdites, fundjavës e jetës së natës,” u shpreh Rama, i cili vuri theksin te potenciali ekonomik i punimeve.
Projekti në shëtitoren “Taulantia”, një zonë që ka kaluar disa herë nën rikonstruksion gjatë dekadës së fundit, është vetëm një nga disa punime që po kryhen paralelisht në zona të tjera bregdetare. Punime të ngjashme po zhvillohen në Plazhin e Madh dhe në segmentin nga “Nyja e Shkozetit” deri te “Stacioni i Trenit,” si dhe në zona periferike që vuajnë prej vitesh nga mungesa e infrastrukturës.
Por për rivalët e tij politikë, koha e këtyre investimeve nuk është e rastësishme. Opozita ka denoncuar projektet si “punime elektorale” të nxituara nga përllogaritje politike që, në vend të përmirësojnë përvojën turistike, shkaktojnë rrëmujë, kaos dhe ndotje në prag të sezonit turistik.
Kandidatët e opozitës në qytetin bregdetar e akuzojnë qeverinë për përdorim të fondeve publike në funksion të fushatës, duke vënë në pikëpyetje jo vetëm qëllimin e projekteve, por edhe efikasitetin dhe planifikimin e tyre.
“Në fillim të sezonit turistik dhe në mes të fushatës, Bashkia Durrës shpartallon shëtitoren në zonën ku ndodhen restorantet”, shkroi në një postim në media sociale, Oerd Bylykbashi, kandidati i koalicionit opozitar për Qarkun e Durrësit.
E pyetur nga BIRN, Bashkia e Durrësit tha në një përgjigje me shkrim se punimet rehabilituese në zonën e plazhit, nuk ishin të lidhura me fushatën zgjedhore.
“Bashkia Durrës ndër vite ka marrë masa për përmirësimin e infrastrukturës në zonat e plazhit, duke realizuar rehabilitimin e rrugëve në të gjithë elementët e saj, ndriçim, kanalizimet, etj”,” tha ajo.
Rama po kërkon një mandat të katërt në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit dhe Durrësi konsiderohet si një nga qarqet kryesore ku do të vendoset se kush do ta qeverisë vendin në katër vitet e ardhshme.
Të dhënat nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Durrës tregojnë se mbi 1,200 biznese janë të lidhura me turizmin bregdetar. Sipas Bashkisë së Durrësit, rreth 1.5 milionë vizitorë kanë vizituar qytetin vitin e kaluar, dhe autoritetet synojnë që kjo shifër të rritet në sezonin e ardhshëm.
“Çdo vit rikonstruksionet fillojnë në prag të sezonit, duke krijuar bllokime rrugësh, pluhur dhe rrëmujë urbane,” tha Artan Luku, kandidat i Aleancës për Shqipërën Madhështore. Ai shtoi se vizitorët nuk vijnë për të parë ekskavatorë, por për përvojë relaksuese, e cila sipas tij mungon në shumicën e plazheve.
“Shumë destinacione atraktive humbin vlerën e tyre vetëm për shkak të mungesës së rrugëve funksionale, ndriçimit dhe sinjalistikës,” tha Luku.
Përfaqësues nga mazhoranca i hedhin poshtë kritikat. Klodiana Spahiu, kandidate e Partisë Socialiste, tha se puna është planifikuar me kohë dhe po kryhet në periudhën më të përshtatshme. “Gjatë dimrit punimet janë të pamundura për shkak të kushteve të motit,” tha ajo.
Spahiu theksoi se faza e dytë e shëtitores së Plazhit të Madh po i afrohet përfundimit dhe pritet të mbyllet brenda muajit maj. Sipas saj, projektet janë përshëndetur nga qytetarët, ndërsa infrastruktura rrugore në qytet është përmirësuar ndjeshëm falë investimeve të bashkisë dhe fondeve të qeverisë./ BIRN.