Durrës: Finalizohet operacioni “Provat”, arrestohet 18-vjeçari që tentoi të grabiste tre turiste italiane

Policia e Durrësit ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Provat”, duke arrestuar një 18-vjeçar i cili tentoi të vidhte me dhunë tre shtetase italiane në lagjen nr. 13 të qytetit, në orët e para të mëngjesit të së dielës.
I riu, i identifikuar si D. A., u kap në flagrancë nga shërbimet e policisë pas tentativës së dështuar për grabitje dhe tashmë përballet me disa akuza të rënda, përfshirë “Vjedhje me dhunë”, mbetur në tentativë, “Vjedhje”, “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, si dhe “Shkatërrim prone”.
Hetimet e mëtejshme zbuluan se i arrestuari ishte autor edhe i dy vjedhjeve të tjera, të kryera më 27 dhe 28 prill. Në njërën prej tyre, ai kishte thyer xhamin e një automjeti dhe kishte marrë sende personale. Ngjarjet janë dokumentuar nga specialistët për Hetimin e Krimeve në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit.
Gjatë kontrollit në banesën e të dyshuarit, u sekuestrua një sasi municioni luftarak dhe sende të dyshuara të vjedhura. Ndërkohë, është proceduar në gjendje të lirë edhe shtetasi E. D., 36 vjeç, i cili dyshohet se nuk ka denoncuar krimin.
Policia bën me dije se hetimet për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të 18-vjeçarit vijojnë.