Show biz

Dua Lipa, emri qendror i “Sunny Hill Festival 2025” në Prishtinë

Pop-ylli me famë botërore, Dua Lipa, do të jetë emri kryesor në edicionin e pestë të festivalit “Sunny Hill” që do të mbahet nga 1 deri më 3 gusht në Bërnicë të Epërme të Prishtinës. Kjo performancë e shumëpritur është pjesë e turneut të saj global “Radical Optimism”, dhe Prishtina është ndalesa e vetme në Evropën Juglindore.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë këngëtarja në rrjetet sociale pas përhapjes së listës së vendeve ku do të performojë. “Më duket se u zbulua sekreti. ‘Sunny Hill Festival’, shihemi aty”, ka shkruar ajo. Edhe themeluesi i festivalit, Dukagjin Lipa, ka reaguar, duke premtuar një “verë të hareshme”.

Agjencia “Republika”, që menaxhon komunikimin e festivalit, ka konfirmuar se Dua Lipa do të performojë në skenën kryesore. “Dua Lipa bën rikthimin e madh e të shumëpritur në Prishtinë”, thuhet në njoftim. Lista e këngëve që ajo do të sjellë përfshin hite si “Levitating”, “New Rules”, “Don’t Start Now”, “Houdini”, si dhe këngë nga albumi më i ri “Radical Optimism”.

Përveç Dua Lipës, një tjetër emër i madh që do të performojë është DJ dhe producentja e njohur koreano-jugore, Peggy Gou, e cila njihet për hitin “(It Goes Like) Nanana”. Organizatorët kanë paralajmëruar gjithashtu performanca nga rreth 60 artistë vendorë dhe ndërkombëtarë, me skena të reja dhe më të mëdha se në edicionet e kaluara.

Vitin e kaluar, festivali solli në Prishtinë emra si Bebe Rexha, Burna Boy, Stormzy dhe DJ Snake. Katër netët përmbyllëse të festivalit u shndërruan në një maratonë muzikore me skena që elektrizuan audiencën deri në mëngjes.

Dua Lipa ka qenë gjithmonë e lidhur ngushtë me “Sunny Hill Festival”, të cilin e ka themeluar së bashku me babain e saj. Ajo shprehu emocionet e saj për edicionin e kaluar duke e cilësuar festivalin si një arritje të madhe familjare dhe profesionale. “Kam ngelur me një ndjenjë kaq të madhe krenarie… Është diçka që e bëjmë për qytetin tonë”, kishte shkruar ajo.

Me energjinë e saj unike, hitet globale dhe lidhjen emocionale me Prishtinën, rikthimi i Dua Lipës në “Sunny Hill Festival” pritet të jetë një nga momentet më të paharrueshme të verës 2025. Prishtina është gati për spektakël.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button