
Një dokumentar i titulluar “Drogë, dollarë, diplomaci: Vallëzimi i Shqipërisë me BE-në” po bën shumë bujë në mediat ndërkombëtare.
Pëveçse në televizionin publik gjerman ZDF, ai është publikuar edhe nga rrjeti franko-gjerman, Arte.
Në dokumentar thuhet se Edi Rama është një autokrat që godet opozitën.
Përcaktimet e gazetarëve të huaj në këtë dokumentar janë shumë të sakta dhe të frikshme.
Dokumentari ndalet sidomos tek çështja e trafikut të drogës.
“Nuk është vetëm politikani i opozitës konservatore, Gent Strazimiri, që akuzon qeverinë se ndihmon trafikun e drogës në sasi të mëdha. Edhe ekspertët ndërkombëtarë përllogarisin se një pjesë e madhe e drogave të forta në BE, kalon përmes Shqipërisë drejt kontinentit,” thuhet në dokumentar.
Më tej, gazetarët vizitojnë portin e Durrësit, që thuhet se është porta më e madhe e drogës.
“Porta hyrëse është porti më i madh i Shqipërisë. Pikërisht këtu në Durrës futet një pjesë e madhe e drogës duke gjeneruar sasi të mëdha parash të zeza… Megjithatë tregtia e drogës lulëzon. Supozohet se njerëz të ngushtë të qeverisë aktuale janë në Kolumbi, por edhe në Meksikë, për të drejtuar tregtinë ndërkombëtare të trafikut të drogës,” vijon më tej dokumentari.
Gazetarët kanë intervistuar edhe liderin e opozitës, Sali Berisha, për këtë çështje.
“Realiteti në këtë vend është se Shqipëria është një narkoshtet i plotë. Rama ka pritur në zyrën e tij një bos të Sinaloas meksikane. Kjo për shkak se tani dy shqiptarë janë lart në drejtimin e kartelit të Sinaloas pas arrestimit të El Çapos. Këta dy shqiptarë janë shumë të fuqishëm atje. Një prej tyre është fotografuar duke hyrë në zyrën e Ramës dhe ka marrë një licencë kazinoje”, thotë Berisha.
Sipas gazetarëve europianë, krimi është kaq i fuqishëm, sa cakton edhe ministrat.
“Kartelet e drogës janë të lidhur ngushtë me politikën. Ata financojnë fushatat zgjedhore, sigurojnë fonde publike dhe mbështesin politikanë. Edhe pse në televizione tregohet rregullisht lufta kundër mafies së drogës, gangsterët e niveleve të larta ndikojnë edhe në zgjedhjen e ministrave. Dy ish-ministra të brendshëm të Edi Ramës kanë qenë të lidhur me trafikun e drogës dhe kanë dhënë dorëheqje pas presioneve publike”.
Në dokumentar evidentohet edhe roli i Olsi Ramës në trafikun e drogës.
“Opozita shqiptare nuk i sheh përgjegjësit në port. Vendimet për trafikun e drogës merren në nivele më të larta. Edhe vëllai i vogël i Edi Ramës është i përzier në trafikun e drogës. Olsi Rama akuzohet se bashkë me një bandë ka sjellë sasi të mëdha kokaine në BE në vitin 2014”.