Drita kërkon shkëlqim në Bukuresht: Sfidon FCSB-në në Ligën e Evropës

Skuadra kampione e Kosovës, Drita, do të zbresë sonte në fushën e Bukureshtit me synimin për të shkëlqyer ndaj FCSB-së, në ndeshjen e parë të rrethit të tretë kualifikues të Ligës së Evropës.
Pas rrugëtimit të respektueshëm në Ligën e Kampionëve, ku u ndal në raundin e dytë nga gjiganti danez Copenhagen, bardhekaltrit gjilanas tani do të provojnë forcat në garën e dytë më prestigjioze evropiane për klube.
Takimi kundër gjigantit rumun FCSB do të luhet sonte, me fillim nga ora 20:30, në stadiumin kombëtar të Rumanisë, dhe konsiderohet sfidë e rëndësishme për vazhdimin e ëndrrës evropiane të Dritës.
Edhe pse FCSB shihet si favorit i lehtë nga shtëpitë e basteve dhe opinioni sportiv, trajneri Zekirija Ramadani dhe ekipi i tij kanë udhëtuar me besim për të nxjerrë një rezultat pozitiv në Bukuresht, që do ta mbante të hapur kualifikimin para ndeshjes së kthimit që do të zhvillohet në Prishtinë pas një jave.
Të dyja skuadrat përballen me mungesa në përbërje, por kjo nuk pritet të ndikojë në intensitetin dhe rivalitetin e ndeshjes. Drita do të përpiqet të ndjekë shembullin e Shkëndijës së Tetovës, e cila vite më parë kishte eliminuar FCSB-në nga gara evropiane.