Dr. Liri Berisha dhe Salvador Kaçaj nderohen për kontributin në autizëm

Dr. Liri Berisha, presidente e Fondacionit ‘Fëmijët Shqiptarë’, dhe Salvador Kaçaj u vlerësuan me “Medalje Merite” nga Konfederata Ndërkombëtare e Prioritateve të Mëdha Autonome, Kalorësit e Maltës, gjatë punimeve të konferencës shkencore “Bota e Autizmit”, e cila u mbajt në Tiranë.
Në fjalën e saj, Dr. Liri Berisha shprehu mirënjohjen për këtë vlerësim dhe theksoi rëndësinë e dëgjimit të profesionistëve të fushës nga mjekët e rinj. Ajo theksoi se autizmi nuk mund të konsiderohet më si një sindromë e izoluar, dhe se duhet të sfidohet me angazhimin e prindërve dhe specialistëve. Ajo nënvizoi gjithashtu rëndësinë e konferencave shkencore për të përcjellë mesazhe shkencërisht të kolauduara dhe për të siguruar qasjen e duhur në trajtimin e këtij fenomeni.
“Do të doja që profesionistët e rinj të fushës, ata që janë sot në hapat e para të trajtimit të fëmijëve të vegjël, të bëhen sy e veshë ndaj profesionistëve më në zë që ka fituar sot ky format shkencor, dhe të përfitojnë sa më shumë nga eksperienca e tyre,” tha Dr. Berisha.
Në fjalën e tij, Salvador Kaçaj, përfaqësues i Priorisë së Madhe Autonome të Kalorësve të Maltës në Shqipëri, bëri thirrje për një shoqëri më të ndjeshme dhe më të dashur ndaj personave me autizëm. Ai ndau emocionet e tij personale, duke treguar se një pjesëtar i familjes së tij ka autizëm dhe theksoi se këta fëmijë kanë nevojë për dashuri dhe kujdes të veçantë.
“Kjo shtresë ka nevojë për ne. Ata janë më brilantë dhe më të mirë se ne, dhe është detyra jonë që të kujdesemi për ta me përkushtim,” tha Kaçaj.
Konferenca ndërkombëtare “Bota e Autizmit” solli së bashku profesorë dhe mjekë nga vendi dhe jashtë tij, të cilët kontribuan me qasje teorike dhe praktike në avancimin e studimeve për autizmin.