Dr. Agim Krasniqi shpall kandidaturën për kryetar të Prishtinës: Një vizion i ri me përgatitje të thellë institucionale dhe akademike

Prishtinë, 15 gusht 2025 – Dr. Agim Krasniqi, një emër i dëshmuar në administratën publike dhe në botën akademike, ka shpallur zyrtarisht kandidaturën e tij për kryetar të Komunës së Prishtinës. Me përvojë mbi 20-vjeçare në institucionet publike të Republikës së Kosovës, ai vjen në këtë garë me një bagazh të jashtëzakonshëm profesional dhe intelektual.
Dr. Krasniqi është autor i disa librave të rëndësishëm të cilat i trajtojnë në mënyrë të thelluar çështjet e qeverisjes, demokracisë, etikës dhe reformës në administratën publike, përfshirë:
– Korrupsioni: Format e Shprehjes dhe Parandalimit,
– Demokracia dhe Tranzicioni,
– Etika dhe Korrupsioni në Administratën Publike në Republikën e Kosovës,
– Qeverisja Lokale dhe Politikat,
– si dhe Hyrje në Sociologjinë Politike.
Përveç kontributit të tij në shërbimin civil dhe autorësisë së veprave akademike, Dr. Krasniqi është edhe ligjërues universitar i lëndës “Qeverisja Lokale”, ku përmes përvojës dhe dijes së tij ka edukuar gjenerata të tëra studentësh.
Ai thekson se kjo kandidaturë mbështetet nga një ekip i gjerë ekspertësh dhe teknokratësh, me përvojë të dëshmuar në jetën publike, administratë dhe qeverisje, të cilët do të jenë pjesë e projektit të tij për një Prishtinë më të drejtë, më funksionale dhe më transparente.
“Prishtina në Dorën Tënde – jo të partive politike!”
Ky është mesazhi i qartë i kandidaturës së Dr. Krasniqit: një qasje qytetare, e pavarur dhe larg interesave të ngushta politike, që synon t’ia kthejë qytetarëve të Prishtinës vendimmarrjen dhe besimin në institucionet lokale.