Dr. Agim Krasniqi prezanton programin 2025–2029 me plan financiar të qartë, transport publik modern dhe fund nepotizmit në kryeqytet.
PRISHTINA NË DORËN E QYTETARËVE, JO TË PARTIVE

Blic Albania sjell sot për lexuesit intervistën ekskluzive me kandidatin për Kryetar të Prishtinës nga iniciativa qytetare “Prishtina në dorën tënde”, Dr. Agim A. Krasniqi. Me karrierë mbi dy dekada në administratën publike, autor i pesë librave dhe ekspert i njohur për qeverisjen lokale dhe luftën kundër korrupsionit, Krasniqi hyn në garën për kryeqytetin me program të detajuar 2025–2029, të mbështetur në plan financiar, indikatorë të matshëm dhe vizion të qartë për transformimin e Prishtinës.
Në këtë intervistë, ai flet për çështjet kyçe që prekin çdo qytetar: kaosin urban, arsimin dhe shëndetësinë, transportin publik, ekonominë lokale, si dhe premtimin për administratën pa nepotizëm e tërësisht transparente.
1. Pyetje: Pse qytetarët e Prishtinës duhet të besojnë tek ju dhe tek iniciativa “Prishtina në dorën tënde”?
Përgjigje: Sepse qytetarët janë lodhur nga premtimet boshe dhe nga politizimi i çdo vendimi. Ne ofrojmë program konkret, të matshëm dhe të bazuar në ligj. Nuk flasim për fjalë të mëdha, por për rezultate: shkolla që prodhojnë arsim cilëso dhe të digjitalizuara, transport publik modern, kujdes shëndetësor në çdo lagje dhe transparencë të plotë. Prishtina është në dorën e qytetarëve, jo në duart e interesave të ngushta.
2. Pyetje: Urbanizmi është një nga plagët e kryeqytetit. Çfarë propozoni konkretisht?
Përgjigje: Do të bëjmë auditim të plotë të ndërtimeve, do të legalizojmë 60% të objekteve që plotësojnë standardet, ndërsa ndërtimet pa leje dhe të rrezikshme do të ndalen. Për herë të parë, qytetarët do të kenë atlasin urbanistik online, çdo hapësirë publike e paprekshme do të jetë e mbrojtur.
3. Pyetje: Arsimi shpesh shihet si i politizuar. Çfarë ndryshimi sillni ju?
Përgjigje: Drejtorët e shkollave nuk do të zgjidhen mbi baza partiake, por mbi meritë, mësuest do t’i kthehet autoriteti. Do të fusim testimin kombëtar lokal për nxënësit, në mënyrë që të kemi llogaridhënie reale për cilësinë e arsimit. Për më tepër, çdo shkollë do të digjitalizohet përmes platformës “Shkollat e Prishtinës”, duke e monitoruar gjithë procesin mësimor dhe ofruar mësim modern dhe mjete teknologjike për nxënësit dhe mësuesit. Partneritetet publiko–private, dhe me baze në komunitet, për të hapur çerdhe dhe kopshte të reja me mbështetje të komunës dhe kontroll mbi cilësinë.
4. Pyetje: Çfarë keni planifikuar për shëndetësinë, një sektor të dobësuar në nivel lokal?
Përgjigje: Do të hapim tre qendra të reja të mjekësisë familjare, do të vendosim njësi emergjente mobile dhe çdo qytetar do të ketë kartelën elektronike të pacientit. Kjo do të thotë kujdes shëndetësor më i shpejtë, më i sigurt dhe më i afërt me qytetarin.
5. Pyetje: Si do të gjallërohet ekonomia e Prishtinës përmes programit tuaj?
Përgjigje: Ne do të mbështesim bizneset lokale me lehtësira, do të financojmë 100 start-up-e të reja, dhe do të ofrojmë 500 praktika të paguara për të rinjtë çdo vit. Po ashtu, Prishtina do të kthehet në qendër të turizmit kulturor dhe gastronomisë, duke ndihmuar ekonominë dhe duke hapur vende pune.
6. Pyetje: Transporti publik është ndër sfidat kryesore të kryeqytetit. Cila është zgjidhja juaj?
Përgjigje: Do të rrisim numrin me 50 autobusë elektrikë, korsi të dedikuara për transportin publik dhe rrugë alternative hyrëse/dalëse që shmangin bllokimin e qytetit. Po ashtu, do të ndërtojmë mbikalimin Hajvali–Veternik, i cili do të lehtësojë një nga nyjet më problematike të trafikut. Do të bëjmë rikonstruktime të rrethrrotullimeve, të cilat nuk janë punuar sipas standardeve~!
7. Pyetje: Çfarë vendi zë mjedisi në programin tuaj?
Përgjigje: Mjedisi është prioritet. Do të instalojmë panele solare në 30 ndërtesa publike, do të bëjmë riciklim sistematik të mbeturinave dhe do të shndërrojmë Prishtinën në qytet më të jetueshëm e të pastër, ku parqet dhe hapësirat e gjelbra janë të paprekshme.
8. Pyetje: Transparenca është fjalë që e përmendin të gjithë, por si do ta garantoni ju?
Përgjigje: Ne nuk premtojmë thjesht transparencë, atë e garantojmë. 100% e tenderëve do të publikohen online, çdo muaj qytetarët do të kenë raport financiar publik, dhe do të hapim portalin e të dhënave të hapura. Pra, qytetarët do të kontrollojnë qeverisjen, jo e kundërta.
9. Pyetje: Çfarë do të bëni për rininë, kulturën dhe sportin?
Përgjigje: Çdo vit do të mbështesim 50 projekte rinore, do të ndërtojmë 15 fusha sportive të reja dhe do të organizojmë ngjarje kulturore ndërkombëtare që e vendosin Prishtinën në hartën e kulturës dhe sportit. Rinia jonë do të ketë hapësira ku të zhvillohet dhe të mos ndihet e harruar.
10. Pyetje: Pensionistët shpesh ndihen të lënë pas dore. Çfarë planifikoni për ta?
Përgjigje: Do të krijojmë fondin pensional komunal, do të ofrojmë kontrolle mjekësore javore dhe furnizim të garantuar me barna esenciale. Për më tepër, do të hapim hapësira sociale ku pensionistët mund të angazhohen, të mos ndihen të vetmuar dhe të jenë pjesë aktive e komunitetit.
11. Zoti Krasniqi, programi juaj tingëllon ambicioz, por nga do t’i siguroni fondet për gjithë këto projekte? A nuk është kjo thjesht një listë dëshirash?
Përgjigje: Është e vërtetë që çdo program kërkon para, prandaj kemi plan financiar të integruar. Do të përdorim tri burime kryesore: (1) buxhetin komunal, të orientuar me prioritet drejt arsimit, shëndetësisë dhe transportit; (2) grantet ndërkombëtare, që Prishtina i ka të pa-shfrytëzuara; dhe (3) partneritete publike–private për projekte të mëdha infrastrukturore. Pra, jo dëshira në letër, por plan me llogaritje të qarta.
12. Shumë qeverisje lokale kanë dështuar sepse janë përfshirë nga nepotizmi dhe politizimi. Çfarë garancie keni që nuk do të ndodhë edhe tek ju?
Përgjigje: Garancia është vetë struktura e programit: çdo vendim, çdo tender, çdo konkurs do të jetë publik. Për më tepër, drejtuesit e shkollave, qendrave shëndetësore dhe ndërmarrjeve komunale do të emërohen me konkurse të hapura dhe transparente. Nëse një qytetar sheh shkelje, do të ketë portal për ankesa publike, që do të shqyrtohet brenda 15 ditëve. Kjo është garancia më e madhe, kontrolli i qytetarit mbi qeverisjen.
13. Ju nuk keni pasur më parë post ekzekutiv si kryetar komune. A mendoni se keni përvojë të mjaftueshme për ta udhëhequr Prishtinën?
Përgjigje: Përvoja ime është mbi 20 vite në administratë, në Ministrinë e Brendshme dhe Ministrinë e Arsimit, ku kam udhëhequr reforma të mëdha kombëtare. Kam botuar libra dhe studime për qeverisjen dhe luftën kundër korrupsionit. Pra, nuk vij si amator, por si dikush që i njeh mirë institucionet, sfidat dhe zgjidhjet. Përvoja ime është menaxhim dhe reformë, pikërisht ajo që i duhet sot Prishtinës.
14. Pyetje: Në fund, cili është mesazhi juaj për qytetarët e Prishtinës?
Përgjigje: Ky program nuk do të jetë vetëm dokument politik, është kontratë morale me qytetarët. Ne garantojmë Prishtinën mirë të qeverisur, transparente gjatë gjithë qeverisje dhe të bukur për të jetuar. Prishtina është në dorën tuaj dhe së bashku do ta bëjmë kryeqytetin tonë qytet evropian, të duhur për çdo familje.



