Dorëheqje pas rastit tragjik në Lipjan – Drejtori i Policisë konfirmon largimin e komandantit Argjend Gashi

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se ka miratuar kërkesën e komandantit të Policisë për rajonin e Lipjanit, Argjend Gashi, për dorëheqje nga pozita. Kërkesa për largim vjen pas vdekjes së 27-vjeçarit Agon Zejnullahu më 7 korrik, rast i cili ka tronditur opinionin publik dhe ka ngjallur reagime të shumta.
“Ka bërë kërkesë për lirim nga detyra dhe i është aprovuar”, ka deklaruar shkurt Hoxha në një përgjigje me shkrim.
Pesë zyrtarë policorë që kishin ndaluar të ndjerin janë arrestuar dhe ndaj tyre është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “vrasje nga pakujdesia”.
Pamjet që janë shpërndarë në rrjetet sociale tregojnë viktimën me duar të lidhura dhe të ulur në gjunjë, para se të bartet me autoambulancë. Policia ka njoftuar se Zejnullahu dyshohej se ishte nën ndikimin e alkoolit dhe po sulmonte automjete e kalimtarë, kur u ndalua nga autoritetet.
Mbrojtja e zyrtarëve policorë ka deklaruar pas seancës dëgjimore më 9 korrik se nuk besojnë që të pandehurit kanë shkaktuar apo kontribuar në vdekjen e Zejnullahut.
Rasti ka shkaktuar reagime edhe në nivelet më të larta të shtetit. Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, kanë kërkuar hetim të plotë dhe transparencë të menjëhershme.
Familjarët e viktimës janë shprehur të zhgënjyer me mungesën e informacionit nga ana e institucioneve. Vëllai i Zejnullahut deklaroi për mediat në Prishtinë më 8 korrik se trupi i të ndjerit kishte “shumë shenja dhe thyerje”, ndërsa familja ende nuk ka marrë sqarime të qarta nga policia.
Shoqëria civile ka ngritur shqetësime serioze për mënyrën e menaxhimit të rastit nga Policia e Kosovës, duke vënë në pah edhe çështjen e trajnimit të pamjaftueshëm të zyrtarëve policorë. Sipas ekspertëve, periudha e trajnimit nga gjashtë muaj që ishte më parë, është shkurtuar në vetëm tre, çka nuk mjafton për përgatitje profesionale në përballje me situata të ndërlikuara në terren.
Hetimet për rastin vazhdojnë, ndërsa opinioni publik dhe familja e viktimës kërkojnë drejtësi dhe zbardhje të plotë të ngjarjes.