Kosova

Donika Gërvalla: Bllokada e opozitës është e papranueshme, po kërkohet blerje kohe për pazare politike

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje nga partia Guxo, Donika Gërvalla, ka reaguar ashpër pas dështimit të radhës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke e quajtur bllokadën aktuale të papranueshme dhe të pakuptueshme nga ana e opozitës.

“Sot patëm edhe një përpjekje për të ecur dhe vazhduar përpara për të thyer bllokadën totalisht të pakuptueshme në konstituimin e institucioneve, duke filluar nga Kuvendi. Kjo bllokadë është krejtësisht e papranueshme,” tha Gërvalla, duke theksuar se mosbesimi i drejtuesve të opozitës ndaj deputetëve të tyre tregon se qëllimi është bllokimi i procesit institucional për arsye të paqarta.

Sipas saj, përpjekja e shumicës për të zgjidhur ngërçin përmes votës së fshehtë ishte një shans për të kaluar këtë fazë me shpresën se do të zhbllokohet situata.

Duke folur për pengesat që sipas saj po vijnë nga opozita, Gërvalla theksoi se Kushtetuta, Gjykata Kushtetuese dhe Rregullorja e Kuvendit përcaktojnë qartë se kush ka të drejtën për të propozuar kryetarin e Kuvendit dhe se ky proces nuk duhet të vihet në diskutim.

“Të gjitha këto janë filma, që duan të çojnë në blerje të kohës për të arritur diçka, e që opozita duhet të na tregojë tani. A është kjo për të krijuar një qeveri opozitare me Listën Serbe, apo pazaret ende nuk kanë dhënë rezultat?”, pyeti ajo.

Gërvalla komentoi edhe paralajmërimet e vazhdueshme për zgjedhje të reja nga kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, duke i interpretuar si presion ndaj LDK-së, e cila sipas saj nuk është e interesuar për zgjedhje të reja.

“Ne nuk i synojmë zgjedhjet, por nuk i shmangemi nëse mbeten e vetmja zgjidhje. Megjithatë, nuk do të donim ta çonim qytetarin sërish në kutitë e votimit, sepse ai ka shprehur qartë vullnetin e tij më 9 shkurt,” u shpreh ajo, duke shpresuar që në seancën e së hënës të mbizotërojë arsyeja dhe të përfundojë bllokada.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button