Dogana e Kosovës parandalon kontrabandën e pajisjeve dentare në vlerë mbi 72 mijë euro

Dogana e Kosovës ka parandaluar një rast të kontrabandës me pajisje profesionale dentare në pikën kufitare të Bërnjakut, me një vlerë të përgjithshme prej 72,461 euro e 23 centë.
Rasti është zbuluar gjatë kontrollit të një ngarkese të deklaruar si mall personal. Sipas njoftimit zyrtar, një shtetas që vinte nga Gjermania kishte paraqitur pajisjet si kuzhinë, dollapa dhe ormana, të përfshira në gjësende personale. Por gjatë kontrollit të detajuar nga zyrtarët doganorë në Mitrovicë, rezultoi se bëhej fjalë për pajisje dentare profesionale, për të cilat mungonte dokumentacioni përkatës dhe licenca për import.
Menjëherë pas zbulimit të tentimit për kontrabandë, hetuesit doganorë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, kanë ndërmarrë veprime hetimore. Me urdhër të Prokurorit, personi i dyshuar është arrestuar, ndërsa procedurat ligjore janë duke vazhduar.
Dogana e Kosovës thekson se mbetet e përkushtuar në luftën kundër veprimtarive të paligjshme, duke mbrojtur tregun dhe sigurinë e qytetarëve të vendit.