Dita e zgjedhjeve, policia harton planin operativ për 7 qershor

Policia e Kosovës ka njoftuar se është bërë gati për ditën e zgjedhjeve.
Përmes një njoftimi për media, policia ka treguar se ka hartuar urdhrin operativ dhe ka bërë të gjitha planifikimet lidhur me 7 qershorin.
“Policia e Kosovës, bazuar në ligjet pozitive të vendit dhe autorizimeve institucionale, me kohë ka hartuar urdhrin operativ dhe ka bërë të gjitha planifikimet lidhur me “Zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës”, të cilat do të mbahen me datën 07 qershor 2026 në Republikën e Kosovës. Përmes urdhrit operativ, parashihen të angazhohet një numër i mjaftueshëm i zyrtarëve policorë kryesisht të rendit publik, por sipas nevojës mund të angazhohen edhe zyrtarë policorë të profileve të ndryshme, që iu përkasin njësiteve të ndryshme brenda Policisë së Kosovës, përfshirë pajisjet e nevojshme logjistike, me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor”, është thënë në njoftimin e Policisë, duke treguar fazat e planit.
“1) Periudha parazgjedhore apo përgatitore vlerësuese, 2) Angazhimi në ofrimin e sigurisë gjatë fushatës zgjedhore, 3) Garantimi i sigurisë në ditën e zgjedhjeve dita (Z), 4) Periudha pas zgjedhjeve që parasheh transportin nën përcjellje dhe siguri të PK-së, të materialit sensitiv e deri në përfundim të procesit”, është thënë në njoftim.



