
Distria Krasniqi është kampione e Europës në xhudo.
Kampionia olimpike ishte e pandalshme sot në Europianin që po mbahet në Podgoricë. Medaljen e artë, xhudistja kosovare e arriti pasi triumfoi në finale ndaj italianes, Odetta Giuffrida, pas dy hedhjeve të suksesshme.
Rrugëtimi i Distrias sot ishte i jashtëzakonshëm.
Ajo ia doli ta mposht me mjeshtri në gjysmëfinale spanjollen Ariane Toro Soler, të cilën e hodhi në tatami me Ippon fantastik, për ta siguruar kështu të paktën medaljen e argjendtë europiane.
Paraprakisht, Krasniqi e mposhti në çerekfinale holandezen Naomi Van Krevel.
Më herët, garuesja kosovare në të tetën e finales me lehtësi e kishte eliminuar serben Milica Nikolic, ndërsa rrethin e parë e kishte kaluar pa luftë në kategorinë deri në 52 kilogramë.