
Të martën është diplomuar gjenerata e re e oficerëve doganorë, në një ceremoni solemne të mbajtur në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, me rastin e 26-vjetorit të themelimit të Doganës së Kosovës.
Në këtë ngjarje, ushtruesja e detyrës së shefit të BE-së në Kosovë, Eva Palatova, përgëzoi doganierët e sapodiplomuar dhe vlerësoi progresin e institucionit në reformimin e praktikave të rekrutimit dhe të operacioneve.
“Duke mbledhur 65.5% të të ardhurave tatimore, Dogana e Kosovës ka rëndësi thelbësore për stabilitetin financiar të vendit. Me ndihmën teknike të BE-së, Dogana po bëhet më efikase, transparente dhe një organizatë moderne e gatshme për t’u përballur me sfidat e ardhshme”, tha Palatova.