Kosova

Diplomon gjenerata 2025 e FSK-së: Presidentja Osmani i quan kadetët trashëgimi e UÇK-së

Në një ceremoni solemne të mbajtur të premten, Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) diplomoi gjeneratën 2025 me 18 kadetë të rinj, të gatshëm për t’i shërbyer vendit nën uniformën e Republikës së Kosovës.

Presidentja Vjosa Osmani, e pranishme në këtë ngjarje, vlerësoi lart përkushtimin dhe gatishmërinë e kadetëve për të mbrojtur atdheun me nder dhe përgjegjësi.

“Nuk ka nder më të madh sesa t’i shërbehet atdheut me zemër, betim dhe uniformë. Kjo ceremoni nuk shënon vetëm fundin e një etape, por fillimin e një përgjegjësie të shenjtë për ju”, tha Osmani në fjalën e saj.

Ajo theksoi rëndësinë historike të FSK-së si trashëgimtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e vendosur rolin e saj në kontekstin e sakrificës së popullit për liri.

“Toka jonë e ka njohur dhimbjen dhe sakrificën për shekuj me radhë, por mbi të gjitha ka lindur mbi shpresën. Forca juaj është trashëgimi e UÇK-së. Ju jeni besimi ynë që Republika e Kosovës do të jetë në duar të sigurta”, u shpreh presidentja.

Ceremonia shënoi jo vetëm përfundimin e përgatitjes profesionale të kadetëve, por edhe fillimin e një kapitulli të ri në shërbim të sigurisë dhe sovranitetit të Kosovës.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button