Kosova

Dialogu strategjik me SHBA: Osmani e quajti arritje, Kurti tregoi më pak entuziazëm

Kosova ka marrë sot një goditje të fortë diplomatike nga aleati i saj kryesor, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat kanë pezulluar për një kohë të pacaktuar finalizimin e Dialogut Strategjik me vendin. Arsyeja e pezullimit lidhet me shqetësimet e Uashingtonit mbi veprimet e qeverisë në detyrë të Albin Kurtit.

Dialogu ishte prezantuar nga presidentja Vjosa Osmani si “një arritje e jashtëzakonshme”, në fund të mandatit të administratës së Joe Biden. Ajo kishte theksuar se ideja për këtë platformë i ishte propozuar SHBA-së që në vitin 2021 dhe ishte rikonfirmuar në takimet e mëvonshme me zyrtarët amerikanë. Në janar të këtij viti, ish-zëvendëssekretari i Shtetit Amerikan për Menaxhimin dhe Resurset, Richard R. Verma, gjatë vizitës në Prishtinë, kishte sjellë lajmin se marrëveshja për dialog do të finalizohej së shpejti.

Megjithatë, entuziazmi nuk ishte i njëjtë nga ana e qeverisë Kurti. Në komunikatat e saj të asaj kohe, Dialogu Strategjik u përmend vetëm kalimthi, ndërsa prioritet iu dha marrëveshjes me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), që parashikon një investim prej 236.7 milionë dollarësh në projekte energjetike.

Dialogu Strategjik është një format që SHBA zhvillon me vende të ndryshme për të forcuar bashkëpunimin në fusha si siguria, ekonomia dhe politika e jashtme. Në rajonin e Ballkanit Perëndimor, SHBA ka ngritur Dialog Strategjik me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa Serbia ka shprehur interes për të krijuar një të tillë.

Pezullimi i këtij procesi vjen si sinjal i qartë i pakënaqësisë amerikane me qeverinë në detyrë në Prishtinë dhe pritet të ketë pasoja në marrëdhëniet e ardhshme Kosovë-SHBA.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button