Lajme

Dhurata Çupi: Legalizimet, varfëria dhe minimumi jetik, prioritetet e PD-së në zgjedhje

Kandidatja për deputete e Partisë Demokratike, Dhurata Çupi, ka shpalosur sot prioritetet e fushatës së saj zgjedhore, duke u ndalur te çështjet sociale dhe ekonomike që prekin drejtpërdrejt qytetarët. E ftuar në emisionin “Koha për t’u zgjuar” në News 24, Çupi theksoi përvojën e saj në organizimin e fushatave elektorale dhe njohjen e thellë të problematikave në Dibër dhe Tiranë.

Një nga shqetësimet kryesore, sipas saj, është procesi i legalizimeve, i cili ende nuk ka përfunduar. “Shumë qytetarë nuk e kanë të sigurt pronën e tyre, pasi legalizimet kanë mbetur pezull. Legalizimi i shtëpive është pjesë e programit tonë,” deklaroi ajo.

Çupi vuri theksin edhe te niveli i lartë i korrupsionit dhe varfërisë në vend. Ajo kritikoi qeverinë aktuale për mospranimin e minimumit jetik dhe kërkoi rritje të pensioneve, duke propozuar një prag minimal prej 200 eurosh. “Është e papranueshme që në një vend të NATO-s të mos ketë një minimum jetik për qytetarët,” u shpreh Çupi.

Duke e cilësuar fushatën si të pabarabartë, Çupi nënvizoi se është e vendosur ta çojë deri në fund misionin e saj politik. “Unë jam një prej qytetarëve, nuk bëj jetë luksi. Kjo qeveri ka rritur varfërinë dhe korrupsionin, nuk ka arsye të votohet më,” deklaroi ajo.

Ajo gjithashtu shprehu mbështetje për Task-Forcën e ngritur nga SPAK, duke kërkuar zgjedhje të lira e të ndershme në Shqipëri. Në lidhje me çështjen e “non gratës”, Çupi u shpreh se një mundësi për udhëtim në SHBA për liderin e PD-së, Sali Berisha, do të ishte një lajm i mirë për opozitën dhe për shqiptarët.

Në fund të intervistës, Dhurata Çupi ftoi qytetarët që të marrin pjesë masivisht në zgjedhje dhe të votojnë Partinë Demokratike për të sjellë ndryshimin e shumëpritur në vend.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button