Dhuna në Sarandë: Goditet rëndë 22-vjeçari, një i arrestuar dhe një tjetër në kërkim

Një ngjarje e rëndë dhune ka tronditur pasditen e së martës qytetin e Sarandës. 22-vjeçari Orgito Brehama është sulmuar brutalisht me dërrasë dhe dorezë hekuri, duke pësuar plagë të rënda në kokë. Për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, ai është transportuar menjëherë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për ndihmë mjekësore të specializuar.
Sipas burimeve zyrtare nga Policia, autori i dyshuar kryesor i ngjarjes është 20-vjeçari Andrea Nanai, i cili është arrestuar në flagrancë nga uniformat blu. Ndërkohë, një tjetër person i përfshirë në konflikt është ende i paidentifikuar dhe po vijon puna për kapjen e tij.
Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Gjergj Araniti”, të njohur edhe si “Rruga e 5”, dhe dyshohet se lidhet me një konflikt të mëparshëm të ndodhur më 2 janar në fshatin Gjashtë. Atëherë, pati përplasje të dhunshme mes disa personave, ku ishte i përfshirë edhe Orgito Brehama.
Policia e Sarandës po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për identifikimin e personit të dytë të përfshirë në sulm.