
Momentet e fundit përpara mbylljes së votimeve shënuan një skandal të rëndë.
Deputeti socialist, Erion Braçe, ushtroi dhunë ndaj gazetares së SYRI TV, Ambrozia Meta, ç’ka ka sjellë edhe një reagim të menjëhershëm nga Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë.
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë dënon me forcë ngjarjen e ndodhur pasditen e sotme në rrugën “Marko Boçari” në Tiranë, ku gazetarja e Syri TV, znj. Ambrozia Meta, dhe grupi i xhirimit të saj u përballën me intimidim, fyerje dhe dhunë fizike gjatë kryerjes së detyrës së tyre.’ – thuhet në reagimin e tyre
Reagimi:
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë dënon me forcë ngjarjen e ndodhur pasditen e sotme në rrugën “Marko Boçari” në Tiranë, ku gazetarja e Syri TV, znj. Ambrozia Meta, dhe grupi i xhirimit të saj u përballën me intimidim, fyerje dhe dhunë fizike gjatë kryerjes së detyrës së tyre.
Pamjet e publikuara tregojnë se përfaqësues politikë, përfshirë edhe deputetin e Kuvendit të Shqipërisë, përfaqësuesin e PS Erion Braçe, kanë përdorur gjuhë denigruese dhe agresive ndaj një gazetareje në misionin e saj. Kjo është e papranueshme dhe bie ndesh me çdo standard të sjelljes demokratike, sidomos gjatë një procesi zgjedhor kur transparenca dhe raportimi i lirë i mediave janë thelbësore për integritetin e procesit.
Përdorimi i presionit verbal, tentativa për të larguar median nga vendngjarja dhe ndërhyrja agresive në punën e gazetarëve, përbëjnë një kërcënim të qartë ndaj lirisë së shtypit dhe të drejtës së publikut për informim.
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë i bën thirrje institucioneve shtetërore, Komisionerit për Zgjedhjet dhe organeve të rendit, që të hetojnë me urgjencë këtë incident dhe të garantojnë që çdo përpjekje për të penguar median të mos mbetet pa pasoja ligjore.
Gjithashtu, i kujtojmë përfaqësuesve politikë se respekti ndaj punës së gazetarëve është detyrim demokratik dhe jo çështje preference.
