DhSK refuzon kërkesën e Haxhi Shalës për lirim me kusht – nuk ka përmbushur dy të tretat e dënimit

Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë kanë refuzuar kërkesën për lirim me kusht të ish-deputetit Haxhi Shala, i dënuar me tri vite burg për frikësim të dëshmitarëve. Vendimi është marrë më 14 korrik 2025 nga kryetarja e DhSK-së, Ekaterina Trendafilova, e cila ka konstatuar se Shala nuk i ka përmbushur kriteret për shqyrtim të kërkesës, përfshirë përmbushjen e dy të tretave të dënimit.
Sipas dokumentit zyrtar, Shala kishte argumentuar se kishte përmbushur gjysmën e dënimit më 11 qershor 2025 dhe se do të plotësonte dy të tretat më 11 dhjetor 2025. Ai kishte kërkuar lirimin në përputhje me nenin 90 të Kodit Penal të Kosovës (KPK), duke pretenduar se ai mund të aplikohej për rastin e tij në mungesë të një dispozite të qartë në ligjet e DhSK-së.
Por, sipas kryetares Trendafilova, kuadri ligjor i Dhomave të Specializuara është i veçantë (lex specialis) dhe nuk lejon aplikimin e ligjeve të tjera të Kosovës nëse nuk janë përfshirë shprehimisht në Ligjin për DhSK-në. Ajo tha se neni 3(4) i Ligjit e ndalon qartë këtë, duke nënvizuar se as neni 90 i KPK-së nuk është pjesë e këtij kuadri.
Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) kundërshtoi gjithashtu kërkesën, duke theksuar se kuadri aktual juridik i DhSK-së tashmë parashikon qartë mënyrat për ulje ose modifikim të dënimit dhe se pretendimet e Shalës nuk qëndrojnë.
Në vendim përmendet se vetëm pas përmbushjes së dy të tretave të dënimit, kërkesat për ulje, ndryshim apo modifikim të dënimit mund të merren në shqyrtim. Duke qenë se Shala nuk e ka arritur ende këtë kufi, kërkesa e tij u konsiderua e papranueshme.
Historia e rastit
Haxhi Shala ishte shpallur fajtor më 4 shkurt 2025, bashkë me dy të akuzuar të tjerë – Ismet Bahtijari dhe Sabit Januzi – pas një marrëveshjeje për pranimin e fajësisë me ZPS-në. Ai u dënua me tri vite burg, ndërsa dy të tjerët me nga dy vite, të cilët u liruan me kusht më 21 shkurt 2025.
Të tre u akuzuan për veprat penale kundër administrimit të drejtësisë, përfshirë përpjekjen për të bindur një dëshmitar që të mos dëshmojë në një çështje tjetër në DhSK. Fillimisht, Bahtijari dhe Januzi u deklaruan të pafajshëm, por më vonë, ashtu si Shala, pranuan fajësinë dhe shprehën pendesë gjatë procedurës gjyqësore.
Në dhjetor 2023, aktakuza ndaj Shalës u përditësua, duke e akuzuar atë për frikësim të dëshmitarëve dhe tentim për pengim të personave zyrtarë përmes kërcënimit të rëndë, individualisht dhe në grup, gjatë periudhës 5–12 prill 2023.
Shala, i cili u transferua në Hagë në dhjetor 2023, kishte kërkuar ndarjen e çështjes së tij nga ajo e bashkë të akuzuarve për një proces më të shpejtë, por kjo kërkesë ishte refuzuar. Gjykimi ndaj tre të akuzuarve u shty në nëntor 2024, për t’u finalizuar me marrëveshje për pranimin e fajësisë.
Sipas vendimit të fundit të kryetares Trendafilova, çdo përpjekje për të aplikuar ligje të tjera jashtë kuadrit ligjor të Dhomave, përfshirë nenin 90 të KPK-së, bie ndesh me Kushtetutën dhe Ligjin për DhSK-në. Si rrjedhojë, kërkesa e Haxhi Shalës u refuzua si e papranueshme për shqyrtim.