DHSK në Hagë: Sot vazhdon gjykimi ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit – diskutohet ecuria e çështjes

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, sot pritet të mbahet seanca e radhës në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Në këtë seancë do të diskutohet për ecurinë e mëtejshme të çështjes, pasi mbrojtësi i viktimave ka përfunduar me dëgjimin e të gjithë dëshmitarëve që kishte thirrur në këtë fazë të procesit.
Ndërkohë, në seancën e mbajtur më 16 korrik, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Charles Smith refuzoi në tërësi mocionin e paraqitur nga mbrojtja, i cili kërkonte heqjen e disa fakteve materiale nga aktakuza. Mbrojtja kishte sfiduar përfshirjen e ngjarjeve që kanë ndodhur para majit të vitit 1998 dhe pas 20 qershorit 1999, duke argumentuar se këto tejkalojnë mandatin e DHSK-së.
Por gjyqtari Smith sqaroi se këto nuk janë akuza të veçanta, por përbëjnë pjesë përbërëse të akuzave ekzistuese. Ai theksoi se, sipas rregullës 130, trupi gjykues nuk ka kompetencë për të rrëzuar pjesë të caktuara të aktakuzës që përmbajnë fakte materiale, nëse ato nuk paraqesin akuza të pavarura.
Sipas Smith, secila pikë e aktakuzës kërkon një shqyrtim të plotë dhe jo të fragmentuar, ndaj trupi gjykues do të vazhdojë me vlerësimin e fakteve në tërësinë e tyre gjatë procesit.
Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së po vazhdon të ndiqet me vëmendje të shtuar nga publiku dhe mediat në Kosovë dhe më gjerë, për shkak të rëndësisë së tij historike dhe politike.