Dhomat e Specializuara: Mbyllet rasti i mbrojtjes së Thaçit dhe Krasniqit në dhjetor

Paneli i gjyqtarëve i Dhomave të Specializuara ka bërë të ditur se rasti i mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi, pritet të mbyllet deri më 14 nëntor, ose një javë pas përfundimit të dëshmisë së fundit.
Mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së do të dorëzojë shkresat përfundimtare të gjykimit deri më 22 dhjetor të këtij viti. Gjatë konferencës së fundit statusore, mbrojtja e Thaçit njoftoi se do t’i nevojiteshin 35.5 orë për dëshmitë e dëshmitarëve të saj.
Ndërkohë, mbrojtja e Krasniqit bëri të ditur se dy dëshmitarë do të dëshmojnë personalisht në gjykatë, ndërsa dy të tjerët do të paraqesin dëshminë me shkrim, e cila tashmë është dorëzuar prokurorëve.
Bazuar në këtë planifikim, gjykatësi ka vlerësuar se për përfundimin e dëshmive do të duhen rreth 35 ditë pune, me pesë orë dëshmi në ditë, duke parashikuar përfundimin e tyre në dhjetor.
Ndërkohë, ekipet mbrojtëse të Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit kanë njoftuar se nuk do të paraqesin dëshmi mbrojtëse.



