Kosova

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë thërret konferencë urgjente para Qeverisë – alarm për ndërprerjen e rrymës për biznese

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës (DHTIK) ka paralajmëruar një konferencë urgjente për media sot, me fillim nga ora 12:00, para objektit të Qeverisë së Kosovës në Sheshin “Skënderbeu”. Edhe pse arsyeja zyrtare nuk është bërë e ditur, konferenca vjen një ditë pas një paralajmërimi serioz nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), që pritet të ndikojë drejtpërdrejt në aktivitetin e bizneseve.

ZRRE ka njoftuar se të gjithë konsumatorët që aktualisht furnizohen me energji nga KEK, si pjesë e Furnizuesit të Mundësisë së Fundit (FMF), do të mbesin pa rrymë pas datës 30 korrik, nëse nuk lidhin kontrata me ndonjë furnizues afatgjatë të licencuar. Ky njoftim ka ngjallur shqetësime të mëdha në komunitetin e biznesit, sidomos mes atyre që ende nuk kanë arritur marrëveshje komerciale për furnizim me energji.

Dhoma e Tregtisë ka reaguar disa herë më parë kundër vendimit të ZRRE-së për kalimin e bizneseve në tregun e hapur të energjisë, duke kërkuar anulimin e tij dhe duke theksuar se ky proces po rrezikon stabilitetin dhe funksionimin e ndërmarrjeve vendore.

Pritet që në konferencën e sotme, përfaqësuesit e DHTIK të shpalosin shqetësimet dhe kërkesat e komunitetit të biznesit, si dhe të kërkojnë ndërhyrje urgjente nga ana e Qeverisë për të shmangur ndërprerjet e mundshme të energjisë elektrike dhe pasojat që ato mund të sjellin për ekonominë e vendit.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button