Dhjetëra mijëra qytetarë marshojnë në Beograd dhe Novi Sad në kujtim të viktimave të stacionit hekurudhor

Më 1 shtator, dhjetëra mijëra qytetarë në Beograd dhe Novi Sad morën pjesë në marshime përkujtimore dhe protesta kundër qeverisë, të thirrura nga nxënësit e shkollave të mesme, në ditën e parë të vitit shkollor.
Në Beograd, tubimi nisi nga Sheshi Sava dhe përfundoi në Sheshin e Republikës, ku u vendosën kurora dhe trëndafila të bardhë për 16 viktimat e shembjes së strehës së stacionit hekurudhor në Novi Sad. Për nder të tyre u mbajt një heshtje 16-minutëshe. Nxënësit që udhëhiqnin marshimin pranuan trëndafila simbolikë nga bashkëmoshatarët e tyre.
Protestuesit u ndalën edhe para godinave të mediave dhe institucioneve shtetërore, ku përmes altoparlantëve u dëgjuan fjalime të regjistruara me mesazhe për mungesën e lirisë së medias, varësinë e gjyqësorit dhe përdorimin e kulturës për propagandë politike. Në disa momente pati tensione, por rojet dhe policia parandaluar përshkallëzimin e tyre.
Edhe në Novi Sad, disa mijëra qytetarë marshuan në heshtje nga Universiteti i qytetit deri tek stacioni hekurudhor, ku ndodhi tragjedia më 1 nëntor 2024. Protesta u udhëhoq nga nxënësit e shkollave të mesme dhe u sigurua nga fermerë me traktorë dhe motoçiklistë.
Marshimet u zhvilluan në disa qytete të Serbisë me mesazhin: “Nuk do të harrojmë dhe nuk do të heqim dorë”. Protestuesit kërkuan zgjedhje të parakohshme, hetime transparente dhe institucione të pavarura.
Shembja e strehës së stacionit në Novi Sad, dhjetë muaj më parë, shkaktoi protesta të mëdha në Serbi. Prokuroria ka ngritur aktakuzë, por procesi është kthyer sërish në fazën e hetimit. Ndërkohë, në gusht u arrestuan 11 persona të dyshuar për korrupsion në projektin e modernizimit të hekurudhës, përfshirë ish-ministrin e Ndërtimit, Tomisllav Momiroviq.
Protestuesit theksuan se do të vazhdojnë të kërkojnë drejtësi dhe ndryshim në vend.