Dështimi i 50-të për konstituimin e Kuvendit – Vazhdojnë përplasjet politike dhe bllokada institucionale

Përpjekja e 50-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës ka dështuar sërish, duke thelluar krizën institucionale që po zgjat prej më shumë se një muaji. Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ndërpreu mbledhjen pasi propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje për formimin e një komisioni për votim të fshehtë nuk mori mbështetjen e mjaftueshme – vetëm 53 vota nga 120 deputetë.
Përfaqësuesit e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së nuk u lejuan të marrin fjalën, ndonëse tentuan të kundërshtojnë veprimet e Deharit, duke e akuzuar se po keqpërdoret nga partia e tij dhe se nuk po respekton Kushtetutën. Ata theksuan se Gjykata Kushtetuese ka kërkuar përfundimin e seancës konstituive brenda 30 ditëve nga certifikimi i rezultateve, afat që përfundon më 26 korrik.
Lëvizja Vetëvendosje, që ka dalë partia e parë në zgjedhjet e 9 shkurtit, po insiston në votimin e fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, pas dështimeve të njëpasnjëshme për ta zgjedhur Albulena Haxhiun në këtë post me 61 vota. Kjo parti ka hedhur në votim çdo dy ditë një propozim për krijimin e komisionit për votim të fshehtë, por pa sukses.
Ndërkohë, partitë opozitare shqiptare këmbëngulin se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese nuk e lejon këtë formë votimi në këtë fazë të konstituimit. LVV e interpreton ndryshe vendimin, duke thënë se votimi i fshehtë është i lejuar dhe në përputhje me rregulloren.
Përderisa palët politike nuk arrijnë kompromis, vendi rrezikon të futet në një krizë të thellë kushtetuese, me afatin përfundimtar për konstituimin e Kuvendit që po afron me shpejtësi.