
Përpjekja e 44-të për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës ka dështuar sërish, duke e thelluar krizën institucionale që po zvarritet që nga zgjedhjet e 9 shkurtit.
Edhe pse Gjykata Kushtetuese kishte vendosur afat 30-ditor për përfundimin e procesit të konstituimit, seanca e thirrur nga kryesuesi Avni Dehari nuk solli rezultate konkrete. Ai e vuri sërish në votim formimin e Komisionit për votim të fshehtë, por partitë që më herët ishin në opozitë nuk propozuan anëtarë për këtë komision, duke refuzuar kështu pjesëmarrjen në një procedurë që e konsiderojnë të papranueshme.
Në shenjë proteste, disa deputetë dolën në foltore dhe kërkuan rikthimin në votim të hapur për pozitat udhëheqëse të Kuvendit. Në votimin për propozimin e Deharit, morën pjesë 101 deputetë – 55 votuan pro, ndërsa nuk pati asnjë votë kundër apo abstenim.
Kjo përplasje e vazhdueshme rreth mënyrës së votimit ka bllokuar për më shumë se katër muaj formimin e institucioneve, pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që e kishte cilësuar situatën si shkelje të rendit kushtetues.
Kriza pritet të thellohet më tej në mungesë të një konsensusi politik për mënyrën e zgjedhjes së kryetarit dhe strukturave të tjera të Kuvendit.