Kosova

Dështim i seancës gjyqësore ndaj Sveçlës dhe deputetëve për shkak të mungesës së prokurorit

Ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore në Gjykatën Themelore të Prishtinës ndaj ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe tre deputetëve, për shkak të mungesës së prokurorit të shtetit.

Ministri Sveçla, bashkë me deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zyba dhe Fitore Pacolli-Dalipi, si dhe deputeten e LDK-së, Drita Millaku, kishin ardhur në gjykatë në kushte të temperaturave të larta, por seanca nuk u mbajt për shkak të mungesës së pajustifikuar të përfaqësuesit të prokurorisë.

Gjykatësi i rastit, Sabit Sadikaj, deklaroi se të gjitha palët ishin të pranishme, përveç prokurorit, dhe njoftoi se do të informohet Kryeprokurori për këtë mungesë.

Pas përfundimit të shkurtër të seancës, ministri Sveçla u pyet nga gazetarët lidhur me temperaturat e larta brenda Pallatit të Drejtësisë. Ai u përgjigj shkurt: “Nuk është kompetencë e jona”, ndonëse brenda MPB-së funksionon Departamenti për Standarde dhe Politika të Inxhinieringut dhe Menaxhimit të Ndërtesave Qeveritare, që mbikëqyr edhe mirëmbajtjen e këtij objekti.

Në këtë rast gjyqësor, Sveçla, Millaku, Zyba dhe Pacolli-Dalipi akuzohen për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në mars të vitit 2018. Aktakuza është konfirmuar më 6 qershor 2024 nga Gjykata Themelore, ndërsa vendimi është vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit.

Në seancën fillestare të mbajtur më 26 mars 2024, të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm. Fillimisht, ata përballeshin edhe me akuzën për “Pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, por kjo vepër është parashkruar, sipas gjykatësit Sadikaj.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button