Kosova
Kryesore

Dështim i radhës në Kuvend – Seanca për konstituim shtyhet për nesër, ambasadorët e huaj ndjekin nga afër zhvillimet

Përkundër pranisë së ambasadorëve të shteteve të huaja në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës – përfshirë përfaqësues nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca dhe shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë – procesi për konstituimin e Kuvendit sërish dështoi.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, e hodhi në votim propozimin për formimin e Komisionit për votim të fshehtë, por ai nuk mori mbështetjen e nevojshme. Nga 107 deputetë të pranishëm në sallë, 54 votuan pro, ndërsa nuk pati asnjë votë kundër apo abstenim. Sërish, mungoi shumica e thjeshtë për të çuar procesin përpara.

Deputetët që morën fjalën në foltore akuzuan partinë e parë për shkelje të Kushtetutës dhe kërkuan që të rikthehet votimi i hapur për përbërjen e Kryesisë së Kuvendit.

Në përfundim të seancës, Dehari sqaroi se, duke qenë se afati kushtetues prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit përfundon nesër dhe masa e përkohshme e vendosur nga Gjykata Kushtetuese hyn në fuqi të dielën, atëherë një përpjekje e fundit do të bëhet nesër.

“Dje jemi njoftuar për vendimin e Gjykatës Kushtetuese për masën e përkohshme. Kjo masë hyn në fuqi më 27 korrik dhe zgjat deri më 8 gusht. Duke marrë parasysh që afati për konstituimin përfundon nesër, seanca e radhës do të mbahet nesër në orën 14:00”, tha ai.

Seanca e sotme u ndërpre pa rezultat, ndërsa sytë tashmë janë drejtuar nga dita e nesërme, e cila përkon me afatin e fundit kushtetues për konstituimin e Kuvendit.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button