Kosova

Deputeti shqiptar në Zvicër, Korab Rashiti: Kurti dhe Osmani duhet të largohen, po e çojnë Kosovën drejt një rruge të rrezikshme

Deputeti shqiptar në Kantonin e Bernit në Zvicër, Korab Rashiti, ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit politike në Kosovë, duke akuzuar drejtpërdrejt presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti për bllokadën aktuale institucionale.

Përmes një postimi në profilin e tij në “Facebook”, Rashiti ka shprehur shqetësimin se dy liderët politikë nuk përfaqësojnë vërtet atë që paraqesin në publik, ndërsa në prapaskenë, sipas tij, veprojnë në mënyrë të koordinuar për interesa të ngushta pushteti.

“Ky njeri do ta fundosë vendin, sepse është i etur për pushtet. Dhe ata që ende e mbështesin, po na çojnë – ngadalë, por sigurt – drejt një republike të kuqe”, shkroi Rashiti, duke iu referuar kryeministrit Kurti. Ai shtoi se bllokada nuk është një aksident politik, por një alarm serioz për rrëshqitjen drejt një modeli shtetëror të rrezikshëm.

Sipas Rashitit, Kurti dhe Osmani po zbatojnë një program me nuanca socialiste që kërcënon themelet demokratike të shtetit të Kosovës. Ai i cilësoi ata si “manipulatorë të opinionit”, “demagogë” dhe “kapës të aparatit shtetëror”.

“Dy figura politike duhet të largohen urgjentisht nga pozitat që i mbajnë dhe i kanë mbajtur: Albin Kurti dhe Vjosa Osmani. Sepse këta të dy, edhe pse publikisht luajnë role të ndryshme, në prapaskenë qëndrojnë dorë për dore – dhe rrezikojnë ta çojnë Kosovën drejt një akti të pakthyeshëm”, përfundon deklarata e Rashitit.

 

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button