Deputeti gjerman kërkon çmontimin e strukturave paralele në veri të Kosovës: “Rrezik real për sigurinë”

Deputeti gjerman në Bundestag, Peter Beyer, ka kërkuar çmontimin e strukturave paralele në veri të Kosovës, duke i cilësuar ato si burim të rrezikut dhe destabilitetit në rajon. Në një fjalim të mbajtur në Bundestag, ai theksoi se zbulimi i fundit i një arsenali armësh në atë zonë është dëshmi e qartë e rrezikut që përfaqësojnë këto struktura.
“Strukturat paralele ekzistuese atje duhet të shpërbëhen plotësisht. Në veri duhet të organizohen zgjedhjet dhe ato të mbahen në kushte sigurie, për çka KFOR-i jep një kontribut të madh,” tha Beyer.
Ai theksoi nevojën për një angazhim të ri politik nga Bashkimi Evropian dhe aleatët ndërkombëtarë në rajon. “Kosova dhe rajoni duhet të kthehet përsëri në fokusin politik të angazhimit tonë,” shtoi ai, duke kërkuar zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, të arritur mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e BE-së.
Deputeti gjerman lavdëroi rolin e KFOR-it dhe veçanërisht angazhimin e ushtarëve gjermanë në Kosovë, duke theksuar se “për një çerek shekulli, ata kanë bërë një punë të shkëlqyeshme për sigurinë dhe stabilitetin në rajon.”
Ai citoi edhe deklaratën e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, gjatë vizitës në Ballkanin Perëndimor, sipas të cilit “angazhimi i NATO-s në rajon është dhe duhet të mbetet një detyrë parësore për Aleancën.”
Beyer theksoi rëndësinë e mbështetjes ndërkombëtare për Kosovën në luftën kundër krimit të organizuar dhe në garantimin e të drejtave të pakicave.
Fjalimi i tij është përshëndetur nga ambasadori i Kosovës në Berlin, Faruk Ajeti, i cili e ka vlerësuar si një përkrahje të qartë për stabilitetin dhe sovranitetin e Kosovës.