Deputetët e Kosovës marrin paga edhe pa punuar gjatë masës së përkohshme të Gjykatës Kushtetuese

Një muaj të tërë, deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk kanë zhvilluar asnjë seancë apo aktivitet ligjvënës për shkak të masës së përkohshme të vendosur nga Gjykata Kushtetuese. Megjithatë, sot ata marrin pagën bazë prej 1,914 eurosh.
105 deputetë të Kuvendit, pa llogaritur 15 anëtarë të Qeverisë që nuk e marrin pagën si deputetë, i kushtojnë buxhetit të Kosovës 200,970 euro vetëm për pagat bazë. Kjo shifër nuk përfshin shtesat për shkak të viteve të përvojës apo pagat e kryetarit të zgjedhur të Kuvendit, Dimal Basha, dhe të nënkryetarëve të zgjedhur, Albulena Haxhiu, Kujtim Shala, Vlora Çitaku dhe Emilja Rexhepi.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, pas zgjedhjes së Haxhiut dhe Rexhepit si nënkryetare të Kuvendit, i kishte liruar nga detyra më 28 gusht 2025.
Gjatë kësaj periudhe të masës së përkohshme, deputetët e kanë të ndaluar çdo veprim apo vendim, përfshirë procedurat për formimin e Qeverisë së re. Përveç kryetarit të zgjedhur Dimal Basha, i cili ka zhvilluar disa takime zyrtare, deputetët e tjerë të legjislaturës së nëntë nuk kanë kryer aktivitete.
Kjo situatë ka ngjallur debate për shpenzimet e larta të buxhetit të Kosovës për paga, ndërkohë që aktiviteti ligjvënës është pezulluar.



