Rajoni

Deputetë britanikë i kërkojnë qeverisë së tyre të ngrejë çështjen e lirisë së mediave në Serbi në samitin e Ballkanit Perëndimor

Një grup prej 16 deputetësh dhe anëtarësh të Dhomës së Lordëve në Mbretërinë e Bashkuar, përfshirë konservatorin Tom Tugendat, i kanë dërguar një letër ministres së Jashtme, Yvette Cooper, ku shprehin shqetësim të thellë për gjendjen e demokracisë dhe lirisë së mediave në Serbi.

Në letrën e tyre, deputetët kërkojnë që Qeveria britanike t’i ngrejë këto çështje në nivelin më të lartë gjatë samitit të vendeve të Ballkanit Perëndimor që po zhvillohet në Londër.

Ata theksojnë se pas protestave prodemokratike që shpërthyen në Serbi pas tragjedisë në Novi Sad, autoritetet serbe kanë reaguar duke “shtypur mospajtimin” dhe ushtruar presion ndaj mediave dhe shoqërisë civile.

Në dokument thuhet se “liria e mediave në Serbi ndodhet në një udhëkryq të rrezikshëm”, duke u ndalur veçanërisht te kompania United Media, e cila zotëron televizionet e pavarura N1 dhe Nova. Deputetët vënë në dukje se gazetarët e këtyre mediave përballen me “ngacmime të vazhdueshme, sulme fizike dhe fushata shpifjesh”.

Ata i referohen edhe raportit të fundit të rrjetit hulumtues OCCRP, që publikoi një audio-incizim ku pretendohet se drejtues të kompanisë shtetërore Telekom Srbija dhe të United Group kanë diskutuar mënyra për të dobësuar ndikimin e televizionit N1 dhe për të ndërruar drejtuesit që mbrojnë pavarësinë editoriale.

“Themel i demokracisë është shtypi i lirë. Pa gazetarë që mund t’i thonë të vërtetën pushtetit në sy, liritë qytetare në Serbi janë në rrezik të shkatërrimit,” thuhet në letrën e nënshkruar nga deputetët britanikë.

Ata i bëjnë thirrje Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar që të vazhdojë traditën e saj në mbështetje të demokracisë, lirisë së mediave dhe sundimit të ligjit, duke theksuar se këto parime duhet të jenë pjesë e diskutimeve me përfaqësuesit e qeverisë serbe.

Përveç Tom Tugendat, ndër nënshkruesit e letrës janë Sir John Whittingdale, kryetar i grupit parlamentar për lirinë e mediave, Baronesha Helena Kennedy, Lord Renard, Baronesha Majer dhe Fiona O’Brajan, drejtoreshë e zyrës britanike të organizatës Reporterët pa Kufij.

Në fund të letrës theksohet se “Mbretëria e Bashkuar duhet të mbrojë zërat e pavarur në rajon, sepse pa media të lira, demokracia në Serbi dhe në Ballkanin Perëndimor mbetet e brishtë.”

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button