
Për herë të parë pas dhjetë vitesh rënie të vazhdueshme, depozitat me afat në monedhën vendase kanë shënuar një rritje gjatë vitit 2024. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit të kaluar, vlera e tyre arriti në 207 miliardë lekë, duke u rritur me 3.5% krahasuar me një vit më parë.
Ky rikthim në rritje lidhet ngushtë me përmirësimin e normave të interesit gjatë vitit 2024, veçanërisht në gjysmën e parë të vitit, kur ato arritën deri në 2.2%. Edhe pse në gjysmën e dytë interesat shënuan një rënie të lehtë, ndikimi i tyre pozitiv në ecurinë e depozitave ishte i ndjeshëm. Banka e Shqipërisë uli normën bazë të interesit dy herë gjatë vitit të kaluar, në muajt korrik dhe nëntor, por efektet e këtyre uljeve në depozita janë zakonisht të vonuara.
Një tjetër faktor që ka ndikuar në këtë rritje është kërkesa në rritje e bankave për fonde në Lekë. Bankat e mesme, të cilat kanë qenë më aktive në dhënien e kredive, kanë ofruar norma interesi më konkurruese për tërheqjen e depozitave të reja. Vetëm në vitin 2024, portofoli i kredisë në monedhën vendase u zgjerua me 14.3%, duke zënë 56.2% të totalit të kredisë për ekonominë.
Që nga viti 2014, depozitat me afat në Lekë kishin hyrë në një cikël rënës, të nxitur nga ulja graduale e normave të interesit, duke bërë që qytetarët të preferonin llogaritë rrjedhëse dhe depozitat pa afat. Por viti i kaluar shënoi një kthesë të rëndësishme.
Në total, depozitat bankare u rritën me 4.9% në 2024. Rritja ishte më e lartë për depozitat në Lekë, me 7.2%, ndërsa ato në valutë të huaj (të konvertuara në Lekë) u rritën me vetëm 3.4%, duke reflektuar edhe efektin negativ të kursit të këmbimit.